Transmetuar më 16-11-2023, 17:32

Një zbulim mjaft interesant është kapur nga teleskopi hapësinor James Webb teksa astronomët evropianë kanë gjetur avull uji, dioksid squfuri dhe re rëre në atmosferën e një ekzoplaneti.

Ekzoplanetët janë planetë që gjenden përtej sistemit tonë diellor, me shumë yje të tjerë që rrotullohen rreth e qark. Studimi i ri, vuri re detaje interesante të një ekzoplanet të quajtur WASP-107b, i cili është një gjigant gazi i ngjashëm me Neptunin që u zbulua në vitin 2017.

Ai është më shumë se 200 vite dritë larg nga Toka dhe po rrotullohet rreth një ylli pak më të vogël se Dielli. "Atmosfera e hollë" e saj i lejon astronomët të studiojnë përbërjen e saj kimike.

Astronomët u befasuan kur zbuluan dioksid squfuri, i cili mban erë si shkrepëse të djegur, në atmosferë, por jo metan. Metani është një gaz serrë dhe mungesa e tij tregon se ekzoplaneti ka një bërthamë të ngrohtë, thanë ata.

"Zbulimi i reve të rërës, avullit të ujit dhe dioksidit të squfurit në atmosferën e dobët të këtij ekzoplaneti nga instrumenti MIRI i James Webb është një moment historik vendimtar," tha një nga shkencëtaret teksa u shpreh se teleskopin hapsinor James Webb po sjell gjithnjë e më shumë informacione vendimtare për shkencën.

Retë në atmosferën e ekzoplanetit përbëhen nga silikoni, i cili është përbërësi kryesor i rërës, zbuluan astronomët.

Michiel Min, nga Instituti Holandez për Kërkimet Hapësinore, tha në një deklaratë se retë e rërës lart në atmosferë kanë një cikël të ngjashëm me ciklin e avullit të ujit dhe reve në Tokë, por me "pika të bëra nga rëra".

Studiuesit thonë se vëzhgimet ofrojnë njohuri të rëndësishme në kiminë e këtij ekzoplaneti. Teleskopi Hapësinor James Webb është një observator i shkencës hapësinore dhe një program ndërkombëtar i udhëhequr nga Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës e SHBA (NASA), Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) dhe Agjencia Kanadeze e Hapësirës.