Transmetuar më 06-12-2023, 10:37

SHKUP- Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat konfirmoi se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Djordjevska nga Shkupi.

Për këtë ngjarje makabre janë ndaluar Vlatko Kekishov, Velibor Manev dhe është kërkuar paraburgim edhe për Bore Videvskin. Person i katërt i përfshirë në rrëmbimin e vajzës, Vanja Gjorçevska është edhe babai i së miturës, Aleksandar Gjorcevski, ndërsa i pesti, Lupço Palevski. Spasovski tha se Palevski është arrestuar në Turqi dhe ka deklaruar se është organizatori i rrëmbimit dhe autori i vrasjes.

Ministri shtoi se Palevski aktualisht ndodhet në paraburgim për ekstradim dhe është në pritje të përfundimit të procedurës pas së cilës do të dorëzohet në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar një kallëzim penal prej 100 faqesh që përmban dëshmi për përfshirjen e personave të arrestuar.

“Në kallëzim penal janë pesë persona, njëri prej të cilëve akuzohet për rrëmbim dhe vrasje, tre për rrëmbim dhe bashkëpunim në vrasje dhe një për ndihmë në rrëmbim”, tha Spasovski në konferencën për media, duke shtuar se rasti tani është nën juridiksionin e prokurorisë publike.

Ai ka konfirmuar se në rrethinën e Shkupit janë gjetur dy pistoleta, të cilat kanë të bëjnë me vrasjen e Vanja Gjorgjevskës. Gjithashtu u gjet edhe një telefon që i përkiste vajzës së vrarë.

Spasovski theksoi se ajo është vrarë me armë zjarri dhe nuk është mbytur, siç u dyshua më herët. Ministri Spasovski pret zgjerimin e hetimeve, ku gjithashtu konfirmoi se Palevski fillimisht iku nga Maqedonia e Veriut në Serbi, dhe më pas kaloi në Bullgari përmes Gradinës, nga ku u organizuaudhëtimi për në Turqi.