Transmetuar më 08-12-2023, 09:47

Nga Ylli Manjani

Drejtësia amerikane ish-presidentin e merr nën hetim dhe gjykim nën akuzë, në fakt disa akuza në disa shtete, por në gjendje të lirë dhe me të drejta të plota të komunikojë me kë t’i dojë qejfi.

Merr nën akuzë dhe gjithashtu në gjendje të lirë edhe djalin e Presidentit aktual, i cili dukshëm ka abuzuar me paratë publike dhe me taksat amerikane. Nën dritën e këtyre fakteve analizoni tani "drejtësinë amerikane" në Shqipëri.

"Amerikanët e Shqipërisë" të fusin e të harrojnë në paraburgim pa akuzë, dmth pa prova. Ish-presidentin (jo vetëm) e marrin nën masa shtrënguese pa logjikë dhe mbi të gjitha në dhunim të mandatit e imunitetit parlamentar.

Dhëndrrin e ish-presidentit e fusin në paraburgim, fillimisht në qeli e tani në shtëpi, gjithashtu pa akuzë, por me dyshimin se ka marrë pronën e familjes së vet dhe e ka zhvilluar pa prekur asnjë qindarkë nga paratë publike.

Ka marrë pronën private dhe ka bërë pallate, "krim të rëndë" ka bërë dmth…. E kështu me radhë, bëmat e "drejtësisë amerikane" të Shqipërisë nuk kanë të sosur. Doni më për Belerin?! Apo për Gjushin..?!

Apo do gëzojmë me rezultatet e amerikanllëqeve me gjyqet popullore të 130 eurove dieta të Sajmirit?! Gëzoni po deshët edhe rezultatet spektakolare të arkës me peshk, gjithashtu të supozuar të zv.ministres…

Mund të gëzojmë edhe me gjyqet "amerikane" të prokurorit që ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes Butrinti-Përmeti. Ashtu siç duhet të ekzaltohemi me gjyqin moral të "oratorisë" ose të laparaskopisë orale në bashkinë e Kukësit.

Për kë doni ende të flasim tjetër që të bindeni që ka shtet këtu. Për Beqen, Oltën e ndonjë tjetër nuk flasim se ka sekret këtu… Vetëm kaq mund të themi, se kanë ngrënë dardha pas kurrizit.

Megjithmend, këtë "drejtësinë amerikane" kush na e bëri?! Rama, Xhafa apo Amerika?! Kushdo ta ketë bërë, e gëzoftë vendin e boshatisur nga shqiptarët!