Transmetuar më 08-12-2023, 15:29

Nga Lutfi Dervishi

Gazetari reporter

Deputetët e opozitës vijuan protestën me flakadanë dhe karrige në Parlament, ndërkohë që shumica parlamentare brenda 7 minutash miratoi 7 miliardë euro buxhet për vitin 2024. Opozita bën thirrje se do të vijojë përpjekjet për të pamundësuar punën në Parlament, duke pretenduar se po i mohohet e drejta kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore.

Gazetari prokuror

Opozita edhe këtë herë ia arriti të krijojë kaos në Parlament, sepse edhe sot garda dështoi të vendosë situatën nën kontroll. Flakadanët, plasëset dhe çakmakët janë prova të pakundërshtueshme që vërtetojnë thyerjen e të paktën 4 neneve të Kodit Penal si: Prishjen e rendit dhe të qetësisë publike, shkatërrimin e pronës publike, përdorimin e materialeve piroteknike dhe pengimin e ushtrimit të detyrës. Kush ka sy dhe veshë e kupton, kush ka mendje gjykon, kush ka ligj në dorë vepron. Përderisa përjashtimi me 10 ditë i deputetëve zjarrëvënës nuk funksionon, nuk kuptohet pse shumica nuk ndryshon rregulloren dhe t’i përjashtojë për një vit, dy apo 1 mandat.

Gazetari, avokat i qeverisë

Demek-opozita e flakadanëve, “non gratave” dhe zullumqarëve ka humbur busullën e arsyes. E ndarë në 4 apo 5 pjesë, arriti të ndezë sot Kuvendin duke dhuruar shfaqjen më të shëmtuar për botën, në një kohë kur ky vend çdo ditë lartëson imazhin e tij ndërkombëtar. Megjithatë demek-opozita nuk e ndali dot shumicën të miratojë buxhetin më të madh që ka patur ndonjëherë vendi. Duket se pakica, me apo pa dashje, me veprimet e saj po i vjen në ndihmë shumicës. S’dua të mbaj anë, por e vërteta është e vërtetë. Sa për qeverisjen Rama nuk duhet t’i fshehim kritikat, mendoj se duhet të bëjë akoma edhe më shumë.

Gazetari gjykatës

Parlamenti duhet të funksionojë normalisht dhe prishësit e rendit dhe qetësisë do të ndëshkohen jo vetëm sipas ligjeve në fuqi. Nëse mosmarrëveshjet mes palëve nuk zgjidhen në rrugë politike, dera e gjykatës është e hapur për të gjithë. Le të shkojnë në gjykatë.

Gazetari analist

Kur përplasen dy vezë, njëra do të thyhet. Nga kjo betejë janë të humbur të dyja palët. Opozita është e humbur, por edhe shumica humbet, sepse nuk ka interes të ketë një Parlament me shumë tym e pak flakë. Le të presim përplasjen dhe këtu jemi, do të flasim për pasojat.

Gazetari diplomat

Palët duhet të gjejnë gjuhën e dialogut për të shmangur konfliktin e panevojshëm dhe të punojnë në interes të publikut dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë. Mendoj se fajtore është opozita, por edhe qeveria, ashtu siç të dyja kanë të drejtë në qëndrimin e tyre.

Gazetari fallxhor

Situata do të bëhet më keq para se të bëhet edhe më keq. SPAK do të bëjë atë që sot pakkush e mendon. Prisni dhe do të shihni çudira! Ata që sot hiqen si tigra do të kthehen në mace, nga ato mace që i tremb edhe miu. Durim, durim, durim!

Shënim: Rolet ndahen sipas temës.