Transmetuar më 10-12-2023, 09:22

KOSOVË- Dy fëmijët e Liridona Ademajt kanë udhëtuar të shtunën drejt Suedisë. Burime për Klan Kosova konfirmojnë se shteti suedez tashmë i ka marrë ata në përkujdesje. Kujtojmë se dy fëmijët janë shtetas suedezë.

Deri më tani për ngjarjen e rëndë janë arrestuar 4 persona, Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij Liridonës, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës që ta kryente vrasjen. Ndërsa, Kushtrim Kokalla dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale "vrasje e rëndë".

Gjithashtu dje u arrestua edhe Tomë Dodaj nga Gjakova, i cili dyshohet se i ka siguruar armën e krimit bashkëshortit të Liridonës, Naim Murselit dhe ekzekutuesit të dyshuar Granit Plavës.

Gjykata Themelore e Prishtinës ua caktoi nga një muaj paraburgim Murselit, Plavës dhe Kokallës, pasi sipas gjykatëses së procedurës paraprake, ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, sepse ekziston edhe dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale. Naim Murseli akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëpunim, Granit Plava për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.