Transmetuar më 19-12-2023, 10:59

Nga Ylli Manjani

Për fat të keq, sa më shumë rrëmohet në publik për çështjen e inceneratorëve, aq më shumë fshihen disa të vërteta të thjeshta. Fjala vjen:

1.Pse u vendos të kalohej në skemën me incenerim?

2. Përse 3 inceneratorë?! A prodhon mbetje mjaftueshëm një vend me 2 milionë banorë efektivë për të mbajtur ndezur 3 inceneratorë?!

3. Inceneratori i Elbasanit nuk punon gjithë kohës se nuk ka mbetje për të djegur apo nuk është ndërtuar mirë?!

4. Inceneratori i Fierit nuk është ndezur se është ndërtuar keq, nuk ka mbetje për të djegur, apo arsye tjetër?!

5. Kush i mori vendimet për incenerim dhe cila ishte marrëdhënia në qeverinë e koalicionit PS-LSI për këtë çështje?!

6. Çfarë raporti politikë-biznes u prish dhe, në ç’moment që loja shpërtheu në sulme publike?!

7. A ishte skema e incenerimit një vorbull financiare?!

8. Po Tirana, a u studiua mirë si rast?!

9. Sa korrekte ishin vendimet e shtetit?!

Sigurisht që këtu duhen kërkuar emrat e dëshmitarët publikë. Pa iu përgjigjur deri në fund dhe me vërtetësi këtyre pyetjeve, zor se gjendet e vërteta te zbatuesit e atyre vendimeve. Sa më larg të shkohet në zbatim, aq më shumë fshihet e vërteta.

Bindja ime për këtë çështje është se ka qenë një pazar i prishur diku atje lart, në një moment të caktuar, që shpërtheu lojën. Ai pazar, po të ishte zbatuar, nuk do kishte as denoncues dhe as të denoncuar.

As media nuk do të ishte e ndarë në pro dhe kundër, por do kishte 3 vendime thellësisht të gabuara, që gëlltisnin para publike, ashtu urtë e butë e pa u ndjerë… Drejtësia penale nuk mjafton për të zbuluar këto vërteta… Përkundrazi, ajo e katandis çështjen në disa bileta avionësh, se kaq mandat ka…