Transmetuar më 04-01-2024, 11:03

Nga Ylli Manjani

Nëse është e vërtetë ajo që thotë gazeta "Kathemerini", pra që Edi Rama kërkon të katapultojë Vangjel Tavon në krye të bashkisë Himarë si i komanduar nga qeveria, deri sa të mbarojë gjyqi i stisur Beleri dhe se për këtë na kërkohet edhe dakordësia e qeverisë greke, jemi përpara një pazari ANTIDEMOKRACI.

Matrapazllëk i shëmtuar, që nuk ka asnjë ligj që e bën të pranueshëm. Që të merreni vesh, duhet të biem dakord si fillim me standardin demokratik. Në një mjedis demokracie, vendimin se kush drejton bashkinë e merr populli i asaj bashkie. Në vijim, deri në zgjedhjet e tjera, vendimet në bashki i merr ai që ka zgjedhur populli.

Mjafton të jetë i aftë mendërisht, i mundur fizikisht dhe i padënuar ligjërisht dhe ai që është zgjedhur vendos. Ky është rregulli i përbotshëm demokratik. Në bashkinë e Himarës populli zgjodhi Fredi Belerin që të marrë vendime dhe jo qeverinë e Shqipërisë e as atë të Greqisë.

Tani vijmë tek zgjidhja që propozon Edi Rama. Kush është Edi Rama që merr vendime për bashkinë e Himarës?! I zgjedhur nga Himara, apo i autorizuar nga i zgjedhuri Beleri?! Ç’punë ka qeveria e Greqisë, që duhet të japë dakordësi për një matrapazllëk lokal krejt antidemokraci në Shqipëri?!

Duke ruajtur konsideratë të lartë personale me ta, por për hir të llogjikës parimore pyes: Ç’lidhje ka Vangjel Tavo, apo edhe emra të tjerë si Ilir Paço e Theodhori Çami, të përmendur në gazetë si zgjidhje e Ramës, me bashkinë e Himarës?! Ata as në Këshillin Bashkiak të asaj bashkie nuk janë.

Si u merrkan vendimet për Himarën në injorim total të popullit të Himarës, zgjedhjeve demokratike dhe autoritetit të zgjedhur aty?! Pse qenka kaq e vështirë të bëhet më e thjeshta?! Zgjidhjen e ka dhënë populli i Himarës dhe në bazë të atij verdikti, ligji është shumë i qartë.

Zgjidhja është shumë, shumë e thjeshtë. Ajo fillon me një leje burgu 6 minutëshe, jo 6 orëshe si ajo e turpit të i dhanë për në varreza. Vetëm 6 minuta duhen për të bërë betimin formal dhe është Fredi Beleri ai që mandaton një të zgjedhur të tij për të ushtruar detyrën në kushtet e pamundësisë fizike. Paraburgimi është pamundësi fizike.

S’ka nevojë për asnjë shpikje tjetër. As për jabanxhinj të komanduar e as për pazare politike qeverish. Gjithnjë, nëse është e vërtetë ajo që shkruhet në "Kathemerini", ajo zgjidhje quhet rrëmbim pushteti; dhunim i demokracisë; shkelje e autonomisë vendore, krahas talljes së rëndë që bëhet me Himarën.

Pa harruar në asnjë çast dhunimin e lirive dhe të drejtave Kushtetuese. Matrapazllëku nuk është zgjidhje demokratike…

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd