Transmetuar më 23-01-2024, 19:22

Kryeministri Edi Rama nisi sot një vizitë pune dy ditore në Spanjë me rastin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në panairin gjigand të turizmit “FITUR, Madrid”.

Kryeministri Rama është mikpritur nga kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez në një takim kokë më kokë, në zyrën e tij në Madrid, që do të pasohet nga takimi i zgjeruar dypalësh mes dy delegacioneve, ku në përbërje të delegacionit që shoqëron kryeministrin Rama janë edhe disa nga kryetarët e bashkive të vendit tonë.

Ditën e nesërme, kryeministri Rama do të marrë pjesë në çeljen e Panairit Ndërkombëtar tëTurizmit “FITUR 24” që do të bëhet nga Mbreti i Spanjës Felipe VI, kudo të prezantohet diversiteti i pasur turistik i vendit tonë, si një destinacion unik për t’u promovuar e vizituar.

Gjatë pjesëmarrjes në panair, kryeministri Rama do të takohet me sipërmarrës dhe drejtues të kompanive prestigjioze botërore, si dhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Turizmit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd