Transmetuar më 03-02-2024, 09:46

INSTAT e ka mohuar kategorikisht prekjen e dokumenteve të Censit nga një sulm kibernetik i ndodhur më 1 shkurt, me autorësi grupimin e vetëshpallur iranian, Homeland Justice, por të dhënat online jo vetëm që janë prekur, por edhe mund të publikohen shumë shpejt.

Këshku kanë deklaruar tre burime për "Albanian Post", ku një krahasim bëhet madje edhe me një rrjedhje informacionesh në përmasat e sulmit të madh kibernetik ndodhur verën e 2022-shit, më 15 korrik, në Shqipëri, i cili çoi përfundimisht në ndërprerjen e raporteve diplomatike me Iranin.

Një prej burimeve të njohur me situatën, ka pohuar në kushtet e anonimatit se INSTAT po përpiqet ta fshehë përmasën e vërtetë të sulmit. Po ashtu, se dokumentacioni i Censit është prekur plotësisht, e ka pohuar edhe një burim tjetër.

Sipas vetëm grupimit, përmasat e të dhënave të marra janë në madhësinë e 100 terabyte-ve. Për ta thjeshtuar, ekuivalenti i 100 mijë gigabyte. Një sasi e jashtëzakonshme informacioni, duke marrë parasysh se shumica e dokumenteve që INSTAT përpunon ka të bëjë me shifra dhe të tilla dosja nuk zënë shumë hapësirë memorie.

Një prej burimeve ka shpjeguar po ashtu se dokumentet e Censit edhe mund të jenë deformuar.

Teksa, një tjetër, artikuloi se hakerët vetë do të nisin publikimin e të dhënave brenda pak ditëve.

E gjitha vjen në kushtet kur Censi është kthyer në vëmendje fillimisht për shtyrjet e vazhdueshme në kohë që ka pasur dhe më tej edhe për lajme të qarkulluara mediatikisht, të cilat pohojnë se shifra reale e shqiptarëve, të cilët jetojnë dhe janë rezident në territor, është tkurrur shumë.

Vetë fakti se INSTAT pas sulmit e ka shtyrë sërish datën e publikimit të Censit, ngre dyshime të thella se problematika e hakerimit të 1 shkurtit është shumë më e madhe se sa ajo e pretenduar nga vetë institucioni, me reagimin e menjëhershëm që pati.

Por INSTAT e ka mohuar se ka rrjedhje të informacionit, pavarësisht sulmit nga hakersat.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd