Transmetuar më 08-03-2024, 16:04

Pjesët mikroskopike të plastikës janë kudo. Tani, ato janë gjetur në ujin me shishe plastike në përqendrime 10 deri në 100 herë më shumë se sa ishte vlerësuar më parë.

Studiuesit nga Universiteti i Kolumbisë dhe Universiteti Rutgers në SHBA, gjetën afërsisht 240,000 fragmente plastike të dallueshme në vetëm një bidon me ujë 0.5 l.

Studimi u botua në Proceedings of the National Academy of Sciences dhe citohet nga noa.al.

Rreth 10% e grimcave plastike të zbuluara ishin mikroplastikë dhe 90% e tjerë ishin nanoplastikë. Mikroplastikat janë nga 5 milimetra deri në 1 mikrometër; nanoplastikat janë grimca me madhësi më të vogël se 1 mikrometër. Për të qenë më të qartë, një fije floku e njeriut është rreth 70 mikrometra e trashë.

Mikroplastika tashmë janë gjetur në mushkëritë e njerëzve, jashtëqitjet e tyre, gjakun e tyre dhe deri në placentë.

Një studim i viteve të fundit gjeti mesatarisht 325 copë mikroplastikë në vetëm një litër ujë në shishe.

Nanoplastika mund të jetë edhe më e rrezikshme se mikroplastika, sepse kur është brenda trupit të njeriut, "sa më i vogël të bëhet, aq më e lehtë është që të keqidentifikohet si përbërësi natyror i qelizës", thotë Wei Min, një profesor i kimisë në Universitetin e Kolumbisë dhe një prej bashkautorëve të studimit që citon noa.al.

Studiuesit përdorën një teknologji që përfshin dy lazer – të quajtur mikroskopi i stimuluar i shpërndarjes Raman (SRS) – për të zbuluar grimcat dhe për t’i identifikuar ato.

Ata kërkuan për shtatë lloje të zakonshme të lëndëve plastike duke përdorur këtë sistem: poliamid 66, polipropileni, polietileni, polimetil metakrilat, polivinil klorur, polistiren dhe polietileni tereftalat.

Shkencëtarët testuan tre marka uji në shishe; ata nuk identifikuan markat ambalazhuese të ujit.

Grimcat që mundën të identifikonin përbënin vetëm 10% të totalit të grimcave që gjetën – pjesa tjetër mund të jenë minerale, ose lloje të tjera plastike, ose diçka tjetër, thotë Beizhan Yan, një profesor hulumtues në Observatorin e Tokës Lamont-Doherty të Universitetit të Kolumbisë dhe një bashkautor në studim.

Studiuesit thonë se disa nga plastikat në ujin në shishe mund të derdhen, për ironi, nga plastika e përdorur në llojet e filtrave të ujit që kanë në përdorim kompanitë e tregtimit të ujit të ambalazhuar.

Phoebe Stapleton, një tjetër bashkëautore e studimit, e cila është profesoreshë e farmakologjisë dhe toksikologjisë në Universitetin Rutgers, thotë se studiuesit e kanë ditur se nanoplastika ishte në ujë.

"Por nëse nuk mund t’i përcaktosh sasinë e tyre ose nuk mund të bësh një evindentim të tyre, është e vështirë të provosh se ato janë në të vërtetë atje," thotë ajo.

Rëndësia e hulumtimit të ri është se ai tani "e nxjerr atë në dritë dhe gjithashtu lejon përcaktimin sasior dhe akoma më e rëndësishmja, kiminë e asaj sasie", thotë Stapleton.

Shkencëtarët shpresojnë se hulumtimi do të çojë në të kuptuarit më të mirë të sasisë plastike që njerëzit marrin rregullisht në trupin e tyre dhe efektet e saj.

Yan thotë se po planifikojnë kërkime të reja duke përdorur të njëjtën teknologji për të parë grimcat plastike në ujin e rubinetit, në ajër, në ushqim dhe në indet njerëzore. "Kjo është në thelb një mënyrë për të hapur një dritare të re për ne për të parë [çfarë ishte] kjo botë e padukshme më parë."

Në botë, kompanitë prodhojnë më shumë se gjysmë milionë tonë plastikë çdo vit, sipas Kombeve të Bashkuara. Rreth 80% e plastikës përfundon në mjedis, thonë studiuesit. Por tani është e qartë se një pjesë tjetër depërton dhe në trupin tonë! /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd