Transmetuar më 06-03-2024, 21:30

I pari e hapi lojën Sali Berisha kur shpalli rikthimin në krye të Partisë Demokratike pas një fushate të gjatë diskretituese ndaj kreut demokrat Lulzim Basha përmes Foltores së famshme dhe më tej me votime të herëpashershme.

Një fushatë që çoi në dorëheqjen e Lulzim Bashës, dokument që ai kurrë nuk e çoi në gjykatë siç e kërkon ligji.

Pas Berishës, rikthimi i shijoi dhe Bashës. Duket se ai nisi të besonte se kjo skemë funksionon, ndaj pa u marrë fare me faktin se ishte dorëhequr, u rikthye në krye të PD, asaj zyrtare, që është katandosur si kokoshi një thelë.

Pas këtyre, për më të vegjlit e demokratëve u bë më e thjeshtë të shkojnë sa andej këndej, siç po ndodh me Gazment Bardhin. Pasi u përfshi në strukturat e larta të PD nën mbështetjen e Bashës, Bardhi nisi ecejaket aty-këtu me largimin e shefit të tij.

Një kalvar që duhet të ketë lodhur dhe vetë Bardhin i cili ka katapultuar qëndrimet dhe postet, akoma më shumë javët e fundit. Tani, gjendet në pozicionin e nënkryetarit të PD së drejtuar nga Sali Berisha.

Sigurisht që janë dhe të tjerë që po praktikojnë skemën "funksionale" dhe më së fundi kemi edhe një tjetër nënkryetar të PD së Berishës, Agron Gjekmarkaj, ish komentator politik.

Por në çfarë situate është sot opozita?

Është e qartë se ajo është në ditët e saj më të zeza, ose në shërbimin më të mirë që mund t’i bëjë një pushteti që vazhdon e vazhdon të marrë mandate qeverisëse.

Aktualisht kemi dy PD, njëra që drejtohet nga Lulzim Basha, por që është rrudhur në shumë pak deputetë, anëtarë dhe përkrahës dhe tjetra, nga Sali Berisha.

Dihet se partia e Berishës ka shumë më tepër përkrahës, por sërish, ajo është e pamundur të përballet me pushtetin.

E megjithatë, ajo që po ndodh sot me këtë opozitë, është mënyra më e papranueshme si një opozitë i shërben vendit: Gjithkush e di se në mbarë botën, opozita është aty, jo për t’u vetë asgjësuar, as për t’i shërbyer pushtetit, por për të verifikuar nëse elektorati ka ndryshuar.

Për këtë, janë zgjedhjet e parakohshme, të cilat dikur kërkoheshin me ngulm sa majtas e sa djathtas, por tani ka mëse 10 vjet që nuk guxon njeri t’i kërkojë.

Kjo është praktikisht gjëja më absurde që një opozitë mund të bëjë dhe një mungesë respekti ndaj mbështetësve të vet.

Paradoksi është i qartë: Nga njëra anë lëshohen akuza të pafundme kundër pushtetit dhe nga ana tjetër, askujt nuk ia mban të vërë në provë elektoratin për të verifikuar sesa ka ndryshuar ai.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd