Transmetuar më 07-03-2024, 22:08

Historiani dhe filozofi grek, Constantinos Filis ka bërë një koment në gazetën “Kathimerini” për çështjen e dënimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Në shkrimin e tij të gjatë me titullin “Dënimi i Belerit, një thirrje zgjimi” ai thotë se kjo ngjarje duhet të shërbejë si arsye për ndryshimin e politikës së jashtme të Greqisë në raportet me Shqipërinë, por edhe më gjerë ndaj Ballkanit Perëndimor.

Autori kujton se pas pak ditësh do të bëhet një vit nga ekspozita me vepra dhe skulptura mikse të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Athinë. Në atë kohë, sipas tij, kishte optimizëm se Shqipëria do të pranonte propozimin e Greqisë për të dërguar në Hagë çështjen e kufirit të zonave detare midis dy vendeve, duke kapërcyer pengesat e ngritura pas anulimit të marrëveshjes të vitit 2008 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Ai thotë se në atë kohë kishte një qasje të kujdesshme të Athinës ndaj Kosovës, por në përgjithësi kishte një mbështetje të Greqisë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria, është ndikuar prej disa vitesh nga vende të veçanta, padyshim që i përket sferës së influencës së Shteteve të Bashkuara, por edhe shteteve evropiane, si Gjermania dhe Italia, por edhe Turqia kanë një ndikim të fortë në Tiranë. Me sa duket është Berlini dhe Roma që i japin Ramës besimin se nëse është e nevojshme, ai do të anashkalojë çdo veto greke, ose më mirë, për ta thënë më troç, se Greqisë do t’i bëhet presion që të mos bllokojë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, shkruan Filis.

Në këtë linjë analisti grek thotë se për të evidentuar dhe forcuar rolin e Tiranës në rajon “kryeministri shqiptar mban rregullisht konferenca rajonale (me pjesëmarrjen e liderëve europianë), promovon projektet e ndërlidhjes kryesisht në infrastrukturë dhe transport ndërmjet shteteve të rajonit, është një nga nismëtarët e krijimit të zonës së tregtisë së lirë të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe sigurisht që reklamohet si përfaqësuesi kryesor i popullatave shqiptare të Ballkanit, gjë që natyrisht acaron lidershipin e shqiptarëve të Kosovës.

Javët e fundit, Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Turqinë, përuroi bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor (po diskutohet edhe për një bazë detare të ngjashme), ka marrë dronë turq Bayraktar TB2, ndërsa në fund të marsit pas dritës jeshile të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen me Italinë për ngritjen e qendrave të pritjes së emigrantëve brenda territorit shqiptar. E gjithë kjo u shtohet përpjekjeve të Tiranës për të marrë një rol udhëheqës në çështjet rajonale dhe për t’u bërë një pikë referimi, në mënyrë që më vonë Greqia të mos e ketë të lehtë të vendosë pengesa në perspektivën e saj evropiane”, shkruan ai.

Analisti grek thotë se në këtë linjë edhe çështjes “Beleri”, Rama i ka mëshuar idesë se “i përket sistemit të drejtësisë” që ka mbështetjen e amerikanëve dhe evropianëve dhe që po merr më shumë pushtet se legjislativi dhe ekzekutivi.

“Shqipëria po krijon në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive mburoja mbrojtëse përmes partneriteteve dhe bashkëpunimeve me aktorë të fuqishëm brenda Perëndimit, madje duke shitur teza antiruse dhe duke u bërë më simpatike ndaj lidershipeve dhe qarqeve të caktuara.

Në fund të fundit, çështja Beleri është një alarm zgjimi për diplomacinë greke në raport me Ballkanin Perëndimor dhe ekuilibrat dinamikë dhe të rinj që mbizotërojnë. Ne duhet të kemi një plan dhe një vizion për të rikuperuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe universale në rajon, sepse konkurrentët tanë tashmë janë vendosur strategjikisht në tabelën e shahut dhe jo vetëm nga Lindja”, mbyllet shkrimi në Kathimerini.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd