Transmetuar më 09-03-2024, 09:32

Me 22 mars marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për trajtimin e emigrantëve merr fuqi ligjore, duke i hapur rrugë ndërtimit të dy kampeve të pritjes së tyre në Shëngjin dhe në Gjadër të Lezhës.

Pas votimit në Kuvendin e Shqipërisë dhe dekretimit nga Presidenti, marrëveshja është publikuar edhe në Fletoren Zyrtare duke kaluar çdo hallkë ligjore të nevojshme për t’u vënë në zbatim.

Në këtë mënyrë, palës italiane i hapet rrugë për ndërtimin e kampit të pritjes në Shëngjin dhe të kampit të akomodimit të emigrantëve në Gjadër të Lezhës. Deri më datën 22 prill të këtij viti, Shqipëria duhet të hapë një llogari speciale që do të përdoret për pagesat që pala italiane do të bëjë në rastet e shpenzimeve të papritura ng apala shqiptare.

Brenda qershorit, pala italiane do të hedhë në llogarinë e Thesarit të Shtetit shqiptar, shumën 16.5 milionë euro, që do të përdoret si paradhënie. Po ashtu, brenda qershorit pala italiane duhet të hapë në një banka tregtare në Shqipëri, një llogari bankare të dedikuar ekskluzivisht për depozitimin e burimeve që lidhen me fondin e garancisë që llogaritet 100 milionë euro.

Në Gjadër janë 10 objekte ushtarake të rrënuara që do të rinovohen për t’u kthyer në kamp strehimi për emigrantët, me një sipërfaqe më shumë se 1900 metra katrorë. Në total, kampi i emigrantëve në Gjadër është 77 mijë metra katrorë. Po ashtu, në Portin e Shëngjinit do të krijohet një seksion i veçantë për për pritjen dhe trajtimin shëndetësor të emigrantëve.

Në total, investimi që Italia do të bëjë në këto dy kampe arrin vlerën e 30 milionë euro. Marrëveshja parashikon një kapacitet maksimal prej 3 mijë emigrantësh. Kjo marrëveshje parashikohet të zgjasë të paktën 5 vite ndërsa pala shqiptare ruan të drejtën që të ripërtërijë ose jo protokollin në fund të afatit pesëvjeçar të saj, si dhe ta zgjidhë atë, në çdo kohë, me kushtin që të lajmërojë 6 muaj përpara.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd