Transmetuar më 11-03-2024, 21:19

Festë zyrtare prej afro 20 vjetësh, me urdhër të qeverisë "Nano", Dita e Verës është një festë dikur lokale, por më pas kombëtare, që kremtohet prej shumë kohësh në vendin tonë. Por në vite, ajo më së shumti është kremtuar në Elbasan, pa përjashtuar Beratin, Dibrën, Përmetin, etj. Ndërsa vitet e fundit, organizimet festive janë përqendruar në Elbasan dhe Tiranë, raporton noa.al.

Dita e Verës simbolizon largimin e stinës së ftohtë dhe ardhjen e periudhës së ngrohtë. Në 14 mars, bimësia zgjohet nga gjumi dimëror dhe nis të thithë nga toka lëngjet që i nevojiten për t’u rritur.

Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të nisur festimet.

Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë plot bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar.

Kjo festë bëhet me bindjen se Dita e Verës sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore dhe ritet ndërlidhen me zgjimin e bimësisë, gjallimin, si dhe kalimin nga dimri në pranverë.

Fillesat në Elbasan?

E shndërruar, në një festë kombëtare dhe ditë zyrtare pushimi, tradita e festimit të Ditës së Verës i ka rrënjët në qytetin e Elbasanit (Skampa) që në kohet e antikitetit. 14 marsi shihet si ditë që simbolizon simbolizon largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës.

Ëmbëlsira karakteristike e kësaj feste është ballakumja.

Në Elbasan, në vite "Dita e verës" si një festë popullore ka pasur karakteristikat e veta të festimit; ekskursione në natyrë (në kodrat e Krastës, Gjinar, Bukanik, apo në liqenet e Belshit), festime në ambiente familjare, dekori i veçantë ku mbizotërojnë lulet dhe sigurisht në mes të tavolinës, mbretëresha e ditës: ballakumja.

Ndër ritet e hershme të kësaj feste elbasanase është; zierja e vezëve në darkë dhe larja e fytyrës me ujin e tyre në mëngjes, futja në shtëpi e një degëze peme, apo luleve.

Gjithashtu festimi i kësaj feste shoqërohet dhe me shpërndarjen te fëmijët e vegjël të një pakoje të vogël me ballakume, pala fiku, arra. Në këtë ditë, Elbasani mirëpret miq e vizitorë nga e gjithë Shqipëria.

e.r/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd