Transmetuar më 20-03-2024, 20:00

Bashkimi Evropian njoftoi sot se po i jep Shqipërisë 100 milionë euro borxh për rindërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Ky borxh u dha nga BEI Globale, krahu i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) për financimin e aktiviteteve jashtë Bashkimit Evropian, raporton noa.al.

Projekti synon të nxisë zhvendosjen e modalitetit të transportit në atë hekurudhor, duke kontribuar në një sistem transporti më të qëndrueshëm për mjedisin, në përputhje me agjendën e gjelbër të BE-së.

Infrastruktura e përmirësuar hekurudhore pritet të kontribuojë dhe në rritjen e lidhjes rajonale dhe në efikasitetin e transportit hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve.

Huaja 100 milionë euro me Shqipërinë jepet në kuadër të një pakete financiare të ‘Team Europe’ për modernizimin dhe elektrifikimin e një linje hekurudhore me gjatësi 120 km nga Vora në Shqipërinë e mesme deri në Hanin e Hotit në kufi me Malin e Zi, thotë BEI.

Projekti është në përputhje me mbështetjen strategjike të BE-së për ndërtimin dhe rehabilitimin e seksioneve kryesore hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, duke synuar të rrisë aksesin dhe përdorueshmërinë e transportit hekurudhor, duke kontribuar në zhvillimin socio-ekonomik, lidhje më të mira tregtare, kalimin në modalitete më të qëndrueshme të transportit dhe dekarbonizimin e ekonomive lokale.

Paketa e financimit e ‘Team Europe’ për këtë projekt përfshin kredinë me vlerë 100 milionë euro të BEI-t, e cila u finalizua sot, një grant investimi të miratuar me vlerë 126 milionë euro të BE-së, të kanalizuar nëpërmjet Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe një kredi me vlerë 98,75 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pra në total, shuma që po jepet arrin në afro 325 milionë euro.

Pas linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, me degëzim në Rinas, e cila ende nuk dihet kur kthehet në vepët, linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit përfaqëson projektin e dytë madhor të qeverisë shqiptare në transportin hekurvepër,

Projekti do të mundësojë elektrifikimin e shinave hekurudhore, rindërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, futjen e një sistemi të ri telekomunikacioni dhe sinjalistike dhe përmirësime të sigurisë. Këto do të mundësojnë shpejtësi deri në 120 km/h, duke rritur efikasitetin dhe kapacitetin e transportit hekurudhor të pasagjerëve dhe mallrave.

Shpejtësia maksimale e funksionimit të trenit, edhe ai, vetëm për mallra, ishte rreth 40 km/h, në disa seksione më e ulët se 20 km/h ndërsa sistemi i sinjalizimit, i dëmtuar dhe pothuajse inekzistent në një pjesë të madhe të linjës.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut. Ajo kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit. Sipas ndarjes administrative, hekurudha përshkon territoret e shtatë bashkive (Vorë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Vau Dejës, Shkodër dhe Malësi e Madhe).

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985. Tërmeti i 29 nëntorit 2019 ndërpreu funksionimin e kësaj linje për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Ishëm por edhe më herët shpejtësia e kalimit të trenave ishte shumë e ulët.

Si një zgjatim i korridorit kryesor TEN-T Mesdhetar, linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit lidh Tiranën me Podgoricën dhe është e vetmja lidhje hekurudhore midis Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës.

I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, André Rizzo, tha në një ceremoni të zhvilluar sot në Tiranë se “me përparimin e Shqipërisë dhe të rajonit në rrugën e tyre drejt integrimit në BE, njerëzit tashmë mund të përjetojnë përfitime konkrete nga ky proces.

Linja hekurudhore Vore-Hani i Hotit, e financuar nga BE-ja, do të sjellë udhëtime më të shpejta dhe më të sigurta si për mallrat ashtu edhe për pasagjerët përgjatë bregdetit të Adriatikut. Ajo do të nxisë lidhjen për njerëzit dhe tregtinë në Shqipëri, në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me BE-në. Për më tepër, do të kontribuojë gjithashtu në avancimin e tranzicionit të gjelbër të Shqipërisë, – shtoi ai.

BEI po ofron gjithashtu mbështetje teknike për qeverinë e Shqipërisë për përgatitjen e projektit hekurudhor të Korridorit VIII në linjat hekurudhore Durrës-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Pogradec.

BEI është financuesi kryesor i projekteve hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, duke dhënë hua mbi 1.7 miliardë euro për investime në sektorin hekurudhor në rajon deri më sot. Në dhjetë vitet e fundit, Banka ka dhënë mbi 40 miliardë euro për të mbështetur projektet hekurudhore në mbarë botën. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd