Transmetuar më 21-03-2024, 23:04

Kryeministri Edi Rama thotë se qeveria ka marrë kërkesë zyrtare nga kompania e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner për ndërtimin e një resorti turistik me vila individuale në ishullin e Sazanit.

Në një intervistë në emisionin “Opinion”, Rama e mbrojti këtë investim duke thënë se do e kthejë ishullin dikur bazë detare ushtarake, në “xhevahirin e turizmit mesdhetar”.

Rama tha se edhe qeveritë e mëparshme si dhe qeveria e tij kanë patur kërkesa të shumta për zhvillimin e ishullit, por sipas tij, kjo e Kushner mund të rezultojë e duhura.

Pjesë nga deklarata e Ramës:

Unë mund t’ju tregoj shumë projekte, dhe raste komunikimesh me investitorë të mëdhenj që vijnë. Unë kam që ditën e parë që kam hyrë në zyrë, përpiqem t’i ftoj, t’i tregoj avantazhet e Shqipërisë. Gjë gjë ka qenë komplet e vështirë në 6 vitet e para, ndërkohë që sot është gjithmonë e më shumë frekuente. Shqipërinë e kemi bërë ne në modë. Shqipëria sot është bërë një emër që për të cilin flitet kudo, vazhdimisht dhe mirë.

Pjesa tjetër e këtij plani është që shqiptarët që punojnë jashtë për dikë tjetër, të vijnë këtu dhe të punojnë. Dhe ata që e kanë kuptuar vijnë këtu dhe bëjnë bujtina.

Pra me Sazanin po ndodh ajo që ka ndodhur po ndodh dhe do të ndodhë edhe me të tjera investime. Unë nuk kam hyrë te fondet, sepse ne nuk kemi akoma asnjë projekt për pjesën e Zvërnecit. Ndërkohë që zyrtarisht është dorëzuar një kërkesë për Sazanin. E ka dorëzuar për të bërë në Sazan një investim i cili ta transformojë Sazanin në atë që ka qenë në krye të herës dëshira edhe e paraardhësve të mi. Ka qenë fiksimi im qysh se kam ardhur në detyrë, kemi pasur 3-4 kërkesa të mëparshme të cilat i kemi refuzuar ne. Në këtë rast shpresoj që të jetë rasti që Sazani të bëhet xhevahiri i turizmit mesdhetar. Do jetë një destinacion i nivelit më të lartë të harmonizimit të natyrës me njeriun dhe do të sjellë konsumatorët më të lartë të turizmit.

Sjell të ardhura për shqiptarët, për buxhetin. Është një turizëm që me një klient sjell të ardhura sa për 100 turistë që vijnë me çantë. Ne kemi diskutuar për vizion, asgjë konkrete.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd