Transmetuar më 22-03-2024, 09:21

Përgatitja e fletëvotimit të Demokracisë së Re për zgjedhjet europiane në Greqi po ecën me ritme intensive.

Zbulimi zyrtar do të bëhet menjëherë pas konferencës së partisë në një ngjarje speciale që do të zhvillohet mes 10 dhe 15 prillit.

Demokracia e Re ka shpallur 28 emrat e parë të kandidatëve për zgjedhjet europiane të 9 qershorit. Një ndër ta është edhe kampioni olimpik Pirro Dhima, Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes.

Pirro Dhima është ish-peshëngritësi i cili ka bërë bujë me deklaratat për origjinën e tij. Në një intervistë të mëhershme shkaktoi reagime të shumta nga të dyja anët e kufirit.

“Unë jam një grek i lindur në Shqipëri”. Ishte kjo përgjigja që Pirro Dhima i dha gazetares greke Elena Akrita, e cila e cilësonte me origjinë shqiptare.

Për të sqaruar debatin, por edhe periudhën që kaloi në Shqipëri derisa u largua për në Greqi, Pirro Dhima foli në një intervistë të gjatë për një nga mediat e vendit fqinj.

“Unë jam grek i lindur në Shqipëri, në Himarë nga gjyshi te gjyshi nga nëna dhe babai”, sqaron ai. “Kjo është nderi im dhe krenaria ime” vijoi më tej ai duke u ndaluar më pas te intervista që bëri bujë.

“Zonja Akrita shkroi një artikull në favorin tim dhe e falënderoj për fjalët e saj të mira. Por jo me origjinë shqiptare! Unë jam grek nga gjyshi te gjyshi. Unë nuk kam asnjë lidhje me shqiptarët”, u shpreh ai në atë kohë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd