Transmetuar më 23-03-2024, 14:14

SERBI- Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç së fundi ka publikuar një fotografi personale në rrjetet sociale me një mesazh për ndërkombëtarët në lidhje me Kosovën. Vuçiç u shpreh se Perëndimi nuk mund ta detyrojnë të njohë Kosovën të cilën e ka cilësuar fëmijën e ndërkombëtarëvë.

“Të gjithë në perëndim duhet ta dinë. Ju mund të bëni shumë gjëra, ju jeni më të fortë dhe më të fuqishëm, por kurrë nuk do të mund ta detyroni Serbinë ta njoh fëmijën tuaj, Kosovën”, ka shkruar Vuçiq në Facebook.

Ky reagim i Vuçiç ka ardhur një ditë pasi shantazoi perëndimin se dalja e Serbisë nga Këshilli i Evropës (KiE) është një nga mundësitë në rast se Kosova pranohet në atë organizatë ndërkombëtare.

“Ju shkoni me këtë dhe pastaj do të shohim nëse Serbia do të qëndrojë në Këshillin e Evropës apo jo. Këtë nuk do ta zbuloni para se ta bëni këtë (pranoni Kosovën në Këshillin e Evropës), kështu që do të shohim. Do të shohim. Ndoshta do t’ju pëlqejë më shumë ta keni Prishtinën, Kosovën në Këshillin e Evropës, sesa Beogradin dhe Serbinë”, tha Vuçiç për TV Prva.

Këshilli i Evropës ka konfirmuar se më 27 mars, në mbledhjen e Komisionit për Politikë dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare në rend dite do të jetë raporti për Kosovën. Kandidatura e Prishtinës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është pranuar në seancën e 24 prillit të vitit të kaluar. Në atë kohë, kandidaturën e Kosovës e përkrahën 33 nga gjithsej 46 shtete anëtare të KE-së. Shtatë vende ishin kundër, pesë abstenuan, ndërsa vetëm një nuk votoi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd