Transmetuar më 23-03-2024, 16:40

Princesha e Uellsit thotë se po i nënshtrohet kimioterapisë pasi zbuloi se kishte kancer. Pohimi publik erdhi pak javë pasi Mbreti Çarls njoftoi se edhe ai ishte me kancer.

Në një mesazh video të regjistruar nga BBC dhe publikuar këto ditë, Catherine Middleton tha se lajmi erdhi si një "tronditje e madhe".

Zyrtarisht nuk thuhet se kur u mësua se Cate ishte prekur nga tumori dhe nëse lidhet me operacionin që ajo bëri në janar në të njëjtën klinikë private ku po ndiqet dhe Mbreti.

Në mesazhin publik Princesha tha se është në fazat e para të kimioterapisë, raporton noa.al.

Megjithatë konfirmohet se trajtimi me kimioterapi filloi në fund të shkurtit. Pallati mbretëror tha se nuk do të ndajë asnjë informacion të mëtejshëm mjekësor privat, përfshirë llojin e kancerit që ka prekur princeshën 42 vjeçare.

Princesha foli dhe për faktin se u tregoi fëmijëve për atë që i ka ndodhur: "Na ka marrë kohë për t’i shpjeguar gjithçka fëmijëve, George, Charlotte dhe Louis dhe për ta bërë këtë në një mënyrë që është e përshtatshme për ta, dhe për t’i siguruar ata se do të jem mirë."

Princesha Catherine dhe Princi William tani nuk pritet të shfaqen me familjen mbretërore të dielën e Pashkëve dhe nuk do të ketë ndonjë kthim të shpejtë në detyrat zyrtare për princeshën.

Profesor Pat Price, një onkolog dhe themelues i fushatës Catch Up With Cancer, lavdëroi princeshën që foli "aq hapur dhe sinqerisht".

"Siç ishte rasti me diagnozën e Mbretit, dhe kjo e princeshës do t’u japë pa dyshim shumë më tepër njerëzve atë nxitje jetike për t’u kontrolluar dhe për t’u dhënë të tjerëve të prekur nga kanceri më shumë besim për të folur për përvojën e tyre.

"Ky njoftim është një kujtim i ashpër dhe tronditës se kanceri nuk respekton moshën apo statusin socia", tha mjeku.

Çfarë është kimioterapia parandaluese?

Catherine tha se ekipi i saj mjekësor e këshilloi që ajo t’i nënshtrohej "kimioterapisë parandaluese" dhe ajo është në fazat e hershme të këtij trajtimi.

Kimioterapia është një term i gjithanshëm për mjekimin për të vrarë qelizat e kancerit. Ajo mund të jepet venoze ose në formë pilule.

Prof Andrew Beggs, një kirurg kolorektal konsulent, tha: "Kimioterapia parandaluese pas operacionit jepet për të zvogëluar rrezikun e rikthimit të kancerit në të ardhmen".

Sa shumë është e nevojshme të bëhet kimio dhe sa shpesh, kjo varet nga lloji i kancerit dhe mënyra se si ai rritet.

Çfarë është kanceri?

Kanceri shfaqet kur qelizat në një pjesë të caktuar të trupit ndahen në mënyrë të pakontrolluar.

Të patrajtuara, këto qeliza potencialisht mund të përhapen në inde të tjera në trup, duke përfshirë organet dhe ky njihet si kancer sekondar ose metastatik.

Sa njerëz sëmuren nga kanceri?

Në Mbretërinë e Bashkuar, një në dy njerëz zhvillojnë një lloj kanceri gjatë jetës së tyre.

Ekzistojnë më shumë se 200 lloje të ndryshme të kancerit – më të zakonshmet në Mbretërinë e Bashkuar janë të gjirit, mushkërive, prostatës dhe zorrëve, sipas faqes së internetit të NHS në Mbretërinë e Bashkuar.

Çdo kancer diagnostikohet dhe trajtohet në një mënyrë të veçantë. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd