Transmetuar më 24-03-2024, 07:25

Një tjetër arrestim ndodhi pasditen e kësaj të shtune (23 mars 2024) në radhët e shtetit, e këtë herë ishte kryetari i Bashkisë së Himarës në detyrë, Jorgo Goro.

Ky i fundit së bashku me 4 zyrtarë të tjerë ra në prangat e policisë pas një hetimi që nisi me kërkesë të Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, pas kallëzimit për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.

Goro gjatë momentit të arrestimit ka qenë në një lokal në Dhërmi, ku i pranishëm në tavolinë ka qenë dhe një prokuror, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.

Sipas njoftimit zyrtar të dhënë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) u caktua masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.G., me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të. Ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim S.M.

Po ashtu në burg është kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi më 5 mars që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe e dënoi atë me 2 vjet burg.

Vendimi për Belerin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela dhe anëtare gjyqtaret Irena Gjoka e Flora Hajredinaj, pas një procesi që zgjati prej rreth 6 muajsh në gjykatë.

Shpallja e vendimit u monitorua nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, mbështetetësit e Belerit, përfaqësuesit e ambasadës greke në Tiranë si dhe gazetarë grekë.

Beleri u arrestua disa ditë para zgjedhjeve vendore të majit 2023, nën akuzë për blereje votash. Ai ndodhej në qeli, por arriti që me shumicë të fitonte mandatin. Megjithatë ai nuk është betuar për postin e kryetarit të bashkisë Himarë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd