Transmetuar më 25-03-2024, 08:54

Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro i cili u arrestua të shtunën me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme pritet të dalë sot në GJKKO, ku do t’i verifikohet masa e sigurisë dhe do të merret në pyetje.

Që prej ditës së shtunë kur u prangos, 23 mars, ai është transferuar në bllokun e sigurisë në Tiranë, nga ku do të shoqërohet për t’u dërguar në gjykatë për verifikim të masës së sigurisë. Arrestimi i kryebashkiakut në detyrë u bë teksa ai ishte në një lokal në Himarë në shoqëri të disa miqve të tij. Ekzekutimi i masës u bë vetëm disa orë pas vendimit të marrë nga gjykata e Posaçme.

Goro u prangos me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.

Edhe në rastin e dytë, të dy ata, referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe tokë bujqësore mbi 5 mijë metër katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Ndërkohë në “arrest shtëpie” janë lënë ish-drejtori i ASHK Vlorë, Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka. Masat e sigurisë, u ekzekutuan këtë të shtunë për dy të fundit dhe Jorgo Goron, teksa ish-zyrtari i Bashkisë, Jerasimo Bashi dhe shtetasi Stavri Mëhilli u shpallën në kërkim.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd