Transmetuar më 25-03-2024, 21:25

Suedi 1-0 Shqipëri (Nilsson 62′)

Miqësore, ‘Friends Arena’, Stockholm

Arbitër: Marcel Birsan (Rumani)

Kombëtarja e futbollit harron të shënojë dhe të fitojë. Kuqezinjtë e Sylvinhos humbën 1-0 kundër Suedisë në Stockholm, teksa kjo është disfata e dytë në tre ditë pas asaj me Kilin. Kuqezinjtë "futën ujë" në prapavijë duke pësuar katër gola në pak ditë, duke mos shënuar asnjë.

Dueli në "Friends Arena" nisi më mirë për vendasit e Tomasson, që kishin disa raste me Isak dhe Forsberg, me këtë të fundit që goditi edhe shtyllën e Strakoshës. Pas minutës së 15-të kuqezinjtë "u ndezën" dhe me një Armando Broja në formë shtynë përpara.

Djaloshi kërkoi një penallti pas rrëzimit në zonë, teksa kryesori vijoi lojën. Më pas Shqipëria provoi edhe me Bajramin dhe Laçin, por pa shënuar. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, për të vijuar me fraksionin e dytë.

Duhej minuta e 62-të kur një krosim nga Kulusevski gjeti të papërqëndruar prapavijën, me Mihaj që nuk largoi dot dhe Nilsson përfitoi me kokë, duke bërë që Strakosha të mposhtej pas disa pritjeve të mira.

Më pas tanët morën lojën në dorë dhe provuan në sulm, me Sylvinhon që hodhi në fushë edhe Baren, Hysajn, Hoxhën, Cikalleshin, Muçollin dhe Muçin, por pa sukses.

Kështu, pas humbjes 0-3 në miqësoren e tre ditëve më parë kundër Kilit, tanët pësojnë sërish humbjen e radhës. Kamabanat e alarmit kanë filluar të bien, me Kombëtaren që do zhvillojë edhe dy miqësore në qershor para finaleve të Euro 2024.

Komenti minutë pas minute:

90+5′ Mbyllet 1-0 ndeshja miqësore.

90′ Pesë minuta shtesë.

82′ Muçolli dhe Muçi në fushë, dalin Asani dhe Ramadani.

77′ Bajrami i bën vend Hoxhës, Broja hapësirë për Cikalleshin.

72′ Qazim Laçi i bën vend Keidi Bares.

67′ Qazim Laçi provon nga jashtë zone, topi del jashtë.

62′ Suedi 1-0 Shqipëri. Vendasit kalojnë në avantazh me Nilsson. Lojtari vendas përfiton nga vendosja jo e mirë e Mihaj.

55′ Jasir Asani s’e kalibron si duhet të majtën, sfera del jashtë.

49′ Isak i rrezikshëm, goditja nga jashtë zone shkon jashtë.

46′ Nis pa zëvendësime pjesa e dytë.

45+2′ Mbyllet 0-0 pjesa e parë. Suedia kontrollon 52 përqind topin, kundrejt 48 të tanëve.

45′ Dy minuta shtesë.

41′ Strakosha i thotë "jo" Isak dhe Olsson në pak sekonda.

24′ Laçi ka shansin e artë, nuk shënon mesfushori.

23′ Armando Broja shënon në portën e Suedisë, gjithçka anulohet për pozicion jashtë loje.

21′ Nedim Bajrami gjuan nga goditja e dënimit, devijon në këndore Olsen.

19′ Forsberg godet shtyllën, Strakosha me fat.

12′ Armando Broja hyn në zonë dhe rrëzohet nga kundërshtari, arbitri rumun vijon lojën. Nuk ka penallti. Tanët pretenduan për faull në zonë (VIDEO).

9′ Isak provon goditjen e parë të ndeshjes nga jashtë zone, ndal Strakosha në pozicion.

1′ Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga vendasit.

Formacionet zyrtare:

Suedia (4-2-3-1): Olsen; Krafth, Staflelt, Lindelof, Augustinsoon; S. Olsson, Sam. Gustafson; Kulusevski, Forsberg, Isak; Nilsson Trajner: Jon Dahl Tomasson

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Mitaj, Mihaj, Gjimshiti, Balliu; Ramadani, Asllani, Laçi; Bajrami, Asani; Broja Trajner: Sylvinho.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd