Transmetuar më 27-03-2024, 12:21

Është zhvilluar sot në GJKKO seanca ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”.

Në seancë si i thirrur nga SPAK, është paraqitur Mihal Delijorgji, ish-administrator i kompanisë “Alba Demil”.

Ai refuzoi të dëshmojë në gjyq duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji.

Më pas avokatët dhe prokuria kërkuan që të administrohen në dosjen gjyqësore dëshmitë e dhëna më herët prej tij si person nën hetim dhe i pandehur.

Edhe në këtë seancë, nuk u paraqit Anjola Agolli, ish sekretare e ministrisë së Drejtësisë, Denis Hajdar dhe Luan Hoxha.

Për Denis Hajdarin prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi ka marrë dijeni dhe nuk është paraqitur.

Ndërsa për Anjolla Agollin e Luan Hoxhën të vijojë kërkimi.

Në seancë Fatmir Mediu i kërkoi Gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë për mënyrën e marrjes së dëshmive të shtetasve amerikan, me videokonferencë, ndërsa gjykata, siç citon rtsh tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letërporosi.

Seanca e radhës u caktua me 9 prill në orën 9.

Dosja “Gërdeci”, Fatmir Mediu: Prokuroria nuk po jep asnjë të dhënë të re! Dëshmitarët janë formalë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu deklaroi pas shtyrjes së seancës për “Gërdecin” se emrat që janë thirrur si dëshmitarë në sallën e gjyqit janë marrë formalisht.

Ai theksoi se dëshmitarët e prokurorisë refuzojnë të dëshmojnë, çka tregon se edhe prokuroria i ka sjellë si dëshmitarë formalë.

“Besoj është gjëja më e drejtë që nëpërmjet pyetjeve të dalë e vërteta. Letër porositë janë një akt formal. Nuk e kuptoj pse nuk u bë në atë formë kur drejtësia amerikane e ka mundësuar. Duket që prokuroria nuk po jep asnjë të dhënë të re. Dëshmitarët e prokurorisë refuzojnë dëshminë. Mospërgjigja e tyre tregon që edhe prokuroria i ka sjellë si dëshmitarë formalë”, tha ai.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd