Transmetuar më 28-03-2024, 22:09

TIRANË-Kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi ka zbuluar detaje në emisionin “Opinion” lidhur me denoncimin e vëllait të kryeministrit Olsi Rama si të përfshirë në trafikun e drogës në laboratorin e Xibrakës.

Bardhi tha se makina që është përdorur nga trafikantët e tjerë është përdodur dhe nga një person i katërt që nuk është identifikuar nga Policia, por sipas të dhënave të sistemit TIMS, kjo makinë është përdorur nga Olsi Rama.

“Nga dosja penale rezulton që prokuroria në rastin e laboratorit të Xibrakës, arrestoi 9 persona. Ndërkohë, në dosjen e Prokurorisë flitet për një person të paidentifikuar nga policia, prokurorët janë kujdesuar që këtë faturën e mosidentifikimit t’ia japin policisë është në kontroll nga Edi Rama. Në dosjen e Policisë, ky person identifikohen si një person 45-vjeç me flokë të shkurtra dhe që përdor mjetin me targë AA 653 DM. Por, ajo që i mbivendoset sipas të dhënave të sistemit TIMS rezulton që përdoruesi i makinës të jetë Olsi Rama. Ai ka përdorur makinë që është përdorur nga ky person i paidentifikuar. A ka shqiptarë që policia arrin të dallojë një person në pamje, ka thënë moshën 45 vjeç, ndërkohë emrin nuk ia ka vënë. Emrin ia ka vënë sistemi TIMS.Në pronësi të makinës është një zonjë. Ai person është identifikuar si drejtues. Të njëjtin automjet e përdorin dhe tre trafikantët e tjerë që janë identifikuar, i katërti që nuk është identifikuar rezulton që është Olsi Rama, vëllai i kryeministrit”,-tha Bardhi

PJESË NGA DEKLARATA E BARDHIT:

Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton gjithashtu se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit dhe anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha dhe Gentjan Gjonaj kanë përdorur disa herë, së bashku dhe veç e veç, automjetin me targa AA653DM.

Gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, kur u planifikua dhe u zbatua plani për ngritjen e laboratorit të kokainës, automjeti me targa AA653DM është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal). E ndërsa tre të tjerët janë identifikuar nga Policia, duke përshkruar edhe automjetet me të cilët kanë lëvizur gjatë takimit me grupin kriminal në bazën e tyre në Tiranë, 45 vjecari, përdorues i automjetit me targa AA653DM nuk është identifikuar me emër. Pra, policia dhe prokuroria, i vendosin në dosje moshën fikse të personit, por jo emrin!

Përdorimi i një automjeti nga i njëjti grup personash, tregon ndër të tjera besimin dhe miqësinë e ngushtë që kanë katër personat e sipërcituar me njëri-tjetrin. Nga verifikimi i sistemit TIMS, Olsi Rama, ashtu si Genci Xhixha, konstatohet se ka hyrje-daljet më të shpeshta dhe me kohë të shkurtër qëndrimi nga muaji Tetor 2014, në muajin Janar 2015, kohë në të cilën shtrihet periudha e përgatitjes deri në finalizimin e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. TIMS provon se nga 18 udhëtime me hyrje-dalje jashtë vendit, të automjetit me targën AA653DM, në 7 raste automjeti është përdorur prej Olsi Ramës dhe herët e tjera nga treshja e narko-organizatës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha, Gentjan Gjonaj.

Për fat të keq, për 10 vite me radhë, policia dhe prokuroria kanë dështuar të identifikojnë zyrtarisht të vetmin person të afërt të krerëve të grupit kriminal, që kryente takime me ta në bazën e tyre sekrete në Tiranë, përdorte të njëjtën makinë si ata dhe me ata, ka të njëjtën moshë dhe pamje me Olsi Ramën, i cili faktohet se përdor edhe ky të njëjtën makinë si grupi kriminal dhe 45 vjeçari i paidentifikuar. Po ashtu, policia dhe prokuroria nuk zbuluan kurrë dhe nuk arrestuan kurrë kreun e organizatës, Genci Xhixhën, i cili u arratis nga Shqipëria në 14 Janar. Një datë kjo që ka një përkim tjetër shumë interesant në TIMS.

Ditën e operacionit, kur kryetrafikanti Xhixha kthehet nga rruga që kishte nisur me drejtim Elbasanin, pasi u njoftua paraprakisht për mundësinë e ndërhyrjes së Policisë në Laborator, Olsi Rama është rregjistruar duke dalë nga kufiri në Morinë pasdite, rreth 40 minuta pas kryerjes së arrestimeve në Xibrakë. Makina me të cilën udhëtonte, jashtë cdo rregulli nuk është rregjistruar në sistemin TIMS, duke lënë çdo dyshim hapur se ai mund të ketë nxjerrë Genci Xhixhën jashtë kufirit të Shqipërisë.

Asgjë nga këto nuk është rastësi. Nuk mund të ketë rastësi në një grup kriminal që ka planifikuar me detaje trafikimin e drogës nga Kolumbia, ngritjen e laboratorit në Shqipëri dhe trafikimin e drogës në Gjermani. Nuk mund të ketë rastësi shoqërimi me vëllanë e kryeministrit dhe përdorimi prej tyre i të njëjtit automjet në kohën e planifikimit dhe ekzekutimit të planit për trafikimin e drogës. Madje për të qenë pak më specifik, në mënyrë që të largohet çdo hamendësim për rastësi. Makina me targën AA653DM nuk është e vetmja që Olsi Rama ka përdorur bashkë me anëtarët e grupit kriminal. Të dhënat tregojnë gjithashtu se ato bashkërisht përdorin edhe automjetet me targa AA393FJ dhe AA030LA.

Por pa i hyrë edhe këtyre detajeve të tjera, që i kam lehtësisht të provueshme, sot, qytetarët duan të dinë pa vonesë nga SPAK-u se çfarë fati ka pësuar dosja e veçuar sekrete me personin e paidentifikuar nga policia, që ka të gjitha ngjashmëritë me Olsi Ramën. Janë kaq shumë fakte, rrethana dhe indicie në dosjen e hetuar keq të prokurorisë, saqë drejtësia ka për detyrë të rihapë dosjen menjëherë. Të dhënat e TIMS-it që unë publikova sot, do të mjaftonin për të rihapur hetimin e kokainës së Xibrakës, lidhjet e Olsi Ramës me grupin kriminal dhe përfshirjen ose jo të tij në organizatën e trafikut të kokainës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd