Transmetuar më 28-03-2024, 23:26

Mariglen Qato, ish-drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish-drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, Redi Molla, kanë reaguar përmes avokatëve të tyre pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka firmosur urdhër arrestin për ta.

Qato i ka mohuar akuzat që ka ngritur SPAK ndaj tij, duke shtuar se çdo veprim që ka marrë e ka bërë në respekt të ligjit, ndërsa theksoi se me arrestimin e tij, SPAK ka provuar se ka rënë pre e presionit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Belind Këlliçit.

“Unë Mariglen Qato jam i pafajshëm. Nuk kam asnjë lidhje me akuzat dhe nuk kam bërë asnjë veprim të kundraligjshëm. Në ushtrimin tim të detyrës, kam punuar me përkushtim dhe kam zbatuar ne mënyrë rigoroze ligjin. Ndjehem i keqardhur që SPAK ka rënë pre e presionit politik të Ilir Metës dhe Këlliçit që ka nisur këtë sulm politik ndaj meje, pa pasur asnjë fakt real. Mbetem besimplotë që ky proces të mbarojë sa më shpejt dhe drejtësia të bëjë punën e saj. E vërteta e pafajësisë time të dalë në dritë", tha Qato.

Edhe reagimi i Redi Mollës ka qenë në të njëjtën linjë me Qaton.

“Une Redi Molla, jam Inxhinier Ndërtimi i diplomuar ne Itali, me një karriere te gjate ne Itali dhe ne Shqipëri. Për 4 vjet kam drejtuar UKT me rezultate te shkëlqyera dhe gjate gjithë kohës qe kam qene ne detyre kam respektuar ligjet e vendit, dhe kam dhënë maksimumin tim. Sot u vura ne dijeni per akuzat e ngritura ndaj meje nga SPAK – deklaroj me bindje te plote qe për këto akuza jam i pafajshëm, dhe nuk kam asnjë lidhje interesash me kompaninë ne fjale.

Ky sulm ka nisur ndaj meje prej me shume se një viti, i frymëzuar politikisht nga PD dhe PL, dhe me vjen keq qe pjese e këtij presioni kane ranë jo vetëm mediat, por dhe Prokuroria.

Pres qe drejtësia te veproje shpejt dhe drejte dhe pafajësia ime te vërtetohet nga gjykata. Do vazhdoje këtë beteje ne çdo instance i bindur tek pafajësia ime”, thuhet në deklaratën ish-drejtorit të ujësjellësit Redi Molla.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd