Transmetuar më 29-03-2024, 09:52

Igli Tare, ish-drejtori sportiv i Lazios, foli për "Kicker", duke iu rikthyer aventurës dhe metodës së punës ndër vite në "Formello". Ky është mendimi i shqiptarit: "Unë nuk u largova nga Lazio për shkak të problemeve me Lotiton. E kisha njoftuar presidentin më shumë se një sezon më parë se nuk do ta vazhdoja më kontratën time, sepse kisha nevojë për një pushim.

Për mua ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të largohesha nga Lazio në maksimum, si nënkampion dhe pjesëmarrës në Champions League. Kur e nisa, gjërat ishin krejtësisht ndryshe. Lazio do të mbetet gjithmonë një klub i veçantë në karrierën time. Më pëlqen futbolli, zhvillimi i lojtarëve, ekipeve dhe klubeve.

Nëse projekti është i drejtë, unë jam shumë i motivuar për të punuar kudo. Mund të shkoj dhe të punoj në një klub që ka ambicie të mëdha dhe dëshiron të konkurrojë për Kupat e Evropës nëse është e mundur. Për mua është e rëndësishme t’i arrij këto objektiva, gjithashtu dhe mbi të gjitha në një mënyrë të qëndrueshme dhe ekonomike, në mënyrë praktike”.

Mbi mënyrën e punës te Lazio: "Blerja e lojtarëve me çmime relativisht të ulëta dhe më pas shitja e tyre pas një kohe me çmime dukshëm më të larta ka qenë forca dhe baza e madhe e zhvillimit tonë të vazhdueshëm te Lazio ndër vite. Gjatë kohës sime te Lazio, 49 lojtarë në total kanë bërë kapërcimin nga ekipi i të rinjve në ekipin e parë.

Jo të gjithë qëndruan aty, disa prej tyre përfunduan në Serie B ose C. Puna e mirë në ekipin e të rinjve të klubit tuaj ka një vlerë të paçmueshme nga pikëpamja sportive, ekonomike dhe kulturore. E njëjta gjë vlen edhe për trajnerët”.

Me se po merret këto kohë Tare: “Shumë shpejt do të vizitoj Pep Guardiolën te Manchester City dhe Roberto De Zerbi te Brighton. Jam shumë i entuziazmuar për njohuritë që do të marr atje”.

Disa fjalë edhe për “Euro 2024”, ku si finaliste do të jetë edhe Shqipëria: “Jam, 100% i bindur se Gjermania do të jetë një nga katër skuadrat që do të luftojnë për titullin në Europian, përkrah Spanjës, Francës dhe Italisë.

Shqipëria? Do të jetë një vlerë e shtuar për Europianin dhe ndoshta do të fitojë më shumë simpati nga të gjithë në Gjermani. Në fushë dhe në tribuna. Fansat janë jashtëzakonisht entuziastë, fanatikë në sensin pozitiv. Fjala “huligan” nuk ekziston në Shqipëri”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd