Transmetuar më 29-03-2024, 10:08

“Më vjen keq, vërtet shumë keq. Është një çështje në të cilën të gjithë kemi humbur”. Fjalët, në lidhje me historinë që ka katalizuar vëmendjen e botës së futbollit dhe më gjerë, janë nga vetë Francesco Acerbi, i cili pas lirimit nga akuzat për fyerje raciste ndaj Juan Jesus, rikthehet në faqet e “Corriere della Sera”.

“Kur u shpalla i pafajshëm, pashë që njerëzit përreth meje reagonin sikur isha liruar pas 10 vitesh burg. Jam shumë i lumtur që dola i pastër nga një situatë e tillë, ishin ditë shumë të vështira”.

Pse flet vetëm sot: "Për shkak se kisha besim te drejtësia dhe nuk doja të rrezikoja të nxisja një bujë, që tashmë ishte e madhe. Tani që ka një vendim doja të thoja fjalën time, pa pasur absolutisht asgjë kundër Juan Jesus.

Në fakt është e kundërta, sepse edhe mua më vjen shumë keq për të. Gjithsesi, nuk mund ta quash një person racist për një fjalë të keqkuptuar në nxehtësinë e lojës. Dhe nuk mund të vazhdosh ta bësh këtë edhe pasi i akuzuari, në rastin konkret unë, të jetë shpallur i pafajshëm.

Nëse më dënonin me 10 ndeshje dhe konsiderohesha racist, çfarë do të kisha bërë? Gjithçka mund të kishte ndodhur. Do të kisha përfunduar jo si futbollist, çka më intereson deri në një pikë, por si burrë. Të gjithë e kishin dhënë dënimin e tyre para bendimin e drejtësisë sportive. Për shumë jam racist edhe tani.

Sinqerisht nuk jam dakord me këtë stuhi, mashtrimi mediatik nuk është i mirë dhe mbi të gjitha nuk është i dobishëm për zgjidhjen e një problemi të tillë të racizmit, që sigurisht tek unë nuk ekziston. Dhe të cilin nuk kam ndërmend ta zvogëloj as aspak, dua që të jemi të qartë”.

Pas lirimit nga akuzat, mbrojtësi zikaltër po mendon ndeshjen e së hënës në “San Siro”: "Sa mirë që kthehem para tifozëve tanë të mrekullueshëm, por mbi të gjitha jam i lumtur që do të luaj. Pra, kur të arrijë ylli i dytë, do të mund të jem atje me ekipin. Me kokën lart, sigurisht".

Vendimi i drejtësisë sportive si një çlirim: “Ishte i tillë, por në këtë çlirim jam ende i trishtuar për të gjithë situatën që u krijua, për mënyrën se si përfundoi në fushë, se si të gjithë u lëshuan ndaj meje pa ditur asgjë. Edhe pas fitimit të pafajësisë kam perceptuar një furi të madhe, sikur të kisha vrarë dikë…”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd