Transmetuar më 29-03-2024, 10:45

Antonio Rudiger nuk është dakord dhe i përgjigjet me forcë çdo lloj referimi për ISIS-in në kontekstin e një fotografie të tij, që gazetari Julian Reichelt e nënvizoi si tregues në këtë kuptim. Ka polemika mbi këtë në Gjermani, ndaj mbrojtësi i Real Madridit foli në "Bild" për t’u sqaruar:

"Si një musliman i devotshëm praktikoj besimin tim. Shumë nga anëtarët e familjes sime iu përkasin feve të ndryshme. Megjithatë, ne respektojmë njëri-tjetrin dhe i festojmë festat fetare së bashku.

Respekti dhe toleranca janë parime themelore që të gjithë i përfaqësojmë në familjen tonë. Unë distancohem me vendosmëri nga çdo lloj ekstremizmi dhe akuzat për islamizëm. Dhuna dhe terrorizmi janë absolutisht të papranueshme. Unë mbroj paqen dhe tolerancën".

Pastaj Rudiger, i cili paraqiti një ankesë për shpifje në Federatën Gjermane të Futbollit, për ta denoncuar Reichelt në Prokurorinë e Berlinit, shpjegoi: "Gjesti që përdora quhet teuhid i gishtit.

Në Islam, ky gjest konsiderohet simbol i unitetit dhe njëjtësisë së Zotit. Ai është shumë i përhapur në mesin e muslimanëve në mbarë botën dhe vetëm në ditët e fundit, Ministria Federale e Brendshme e ka klasifikuar atë si joproblematik”.

Megjithatë, Rudiger bëri një "mea culpa": “E kuptoj gjithashtu se, për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme, iu dhashë palëve të treta mundësinë që qëllimisht të keqinterpretonin gjestin tim, të përçanin dhe polarizonin opinionin. Unë nuk mbështes kurrsesi radikalizmin, prandaj vendosa të bëj një deklaratë të qartë pas dy ndeshjeve tona të suksesshme me kombëtaren”.

Rudiger më pas përfundoi: "Në të njëjtën kohë nuk do t’i lejoj ata të më shajnë, të më konsiderojnë si islamist. Prandaj kam vendosur të ngre akuza. Bëhet fjalë për propagandë dhe përçarje. Unë gjithmonë do të mbrohem me vendosmëri nga kjo.

Shpresoj që ky sqarim të ndihmojë në zbardhjen e keqkuptimeve dhe nxjerrjen në dritë të së vërtetës. Po ashtu dua të falënderoj Federatën, e cila më ka mbështetur gjithmonë në këtë çështje”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd