Transmetuar më 05-04-2024, 08:12

KOSOVË- Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se sot do të nisë procesi i regjistrimit të popullsisë në vend i cili do të zgjasë deri më 17 maj. Në njoftimin për media bëhet e ditur se pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës se informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.

Nga data 5 prill deri më 10 prill 2024 punonjësit (regjistruesit) e regjistrimit do t’i vizitojnë zonat e banimit ku do të shpërndajnë materialet si: fletëpalosje, letra informuese dhe për të njoftuar me Zonën Regjistruese. Gjatë kësaj periudhe mund të zhvillohet ndonjë intervistë me ndonjë ekonomi familjare. Nga data 10 prill 2024 do të fillojë regjistrimi i përgjithshëm.

Intervista duhet të zhvillohet në objektin e banimit të ose në afërsi të banesës/shtëpisë së respodentit (qytetarit). Intervista mund të zhvillohet në: banesë/shtëpi, hyrje, korridor, në një lokal afër banesës/shtëpisë, nëse ka një kopsht, terasë, ballkon ose vende të ngjashme. Varësisht prej numrit të anëtarëve të ekonomisë familjare, moshës dhe gjinisë, pritjet janë që intervista në një ekonomi familjare me 4 anëtarë të zgjasë rreth 30 minuta.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd