Transmetuar më 16-04-2024, 20:59

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të Asamblesë Kombëtare, e cila votoi PRO që Kosova të avancojë edhe më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës.

Berisha e ka quajtur moment historik votimin dhe realizim të një ëndrre fisnike të presidentit Ibrahim Rugova.

Berisha: Sonte dua të përshëndes në emër tuaj dhe të PD, një ngjarje historike për Kosovën dhe kombin. Sot, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës votoi me mbi dy të tretat e të pranishmëve për Kosovën anëtare të Këshillit të Europës. Për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Të dashur miq, kjo është një arritje historike, është realizimi i një ëndrre fisnike të madhe të presidentit Ibrahim Rugova. Realizimi i një ëndrre të mijëra e mijëra vajzave dhe djemve të Kosovës që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe evropiane.

Votimin e ka përshëndetur edhe presidenti Begaj dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani. Në një postim në Facebook, Begaj shkruan se tashmë pritet edhe votimi final, për të përcaktuar edhe momentin për të festuar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd