Transmetuar më 18-04-2024, 13:09

Roma dhe Daniele De Rossi ecin përpara së bashku. Njoftimi vjen nga faqja zyrtare e skuadrës verdhekuqe. Deklaratë klasike që në orën 9 të mëngjesit, si më 16 janar kur mbërriti njoftimi për shtyp që njoftonte shkarkimin e José Mourinhos.

Një veprim i guximshëm, i rrezikshëm, por absolutisht i drejtë. Pas 100 ditësh si trajner i Romës, De Rossi i ka bindur të gjithë me një rikthim të jashtëzakonshëm në kampionat dhe “galop” të mirë europian (që sonte do të ketë përballjen e ethshme ndaj Milanit në “Olimpico”).

Nga familja Friedkin deri te CEO Lina Soulokou, të gjithë kërkuan fort rikonfirmimin e DDR, trajnerit që përmirësoi cilësinë e lojës, performancat dhe rezultatet. Një skuadër më e bukur dhe më e qetë, që pas 6 vitesh larg Champions League po lufton fort për t’u rikthyer atje me Bologna dhe Atalanta.

Pavarësisht se si përfundon sezoni, Roma dhe De Rossi kanë vendosur të ecin përpara së bashku. Në emër të meritës, vazhdimësisë dhe mbi të gjitha të një Rome që dëshiron ta shikojë të ardhmen me pozitivitet dhe qetësi. Gjithçka që vetëm 100 ditë më parë dukej e pamundur.

Nuk kishte nevojë për “Harry Potter”, apo ndonjë ilaç magjik të çuditshëm. Mjaftoi që skuadra të vendosej në kushtet më të mira dhe ta bënte të luante futboll. “Një projekt afatgjatë”; kështu e përcaktuan Friedkins marrëveshjen për rinovimin e De Rossit, duke saktësuar se në këtë kuptim “detaje të mëtejshme do të zbulohen në ditët në vijim”. Ja deklarata e plotë:

“Pas një takimi të mbajtur dje pasdite me Daniele De Rossi, jemi të kënaqur të njoftojmë se ai do të vazhdojë të mbajë postin e trajnerit të AS Roma edhe në fund të këtij sezoni për një të ardhme të parashikueshme.

Në mandatin e tij të shkurtër si trajner, ndikimi pozitiv që lidershipi i tij solli në të gjithë klubin vazhdoi tregimin e historisë së tij të jashtëzakonshme me Romën. Udhëheqja e Daniele karakterizohet nga respekti dhe guximi, ndërsa forca dhe besimi i tij, të rrënjosura thellë në klub, janë në përputhje me vlerat e Romës, qytetit dhe tifozëve tanë të pashoq.

Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me përkushtim gjithnjë e më të madh për të ofruar të ardhmen që tifozët e Romës meritojnë. Nuk mund të ishim më të lumtur të ndërtonim një projekt afatgjatë me Daniele. Detaje të tjera do të pasojnë në ditët në vijim. Forca Roma!”

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd