Transmetuar më 19-04-2024, 07:00

Shpërthime u dëgjuan në provincën qendrore të Isfahanit ku ndodhet arsenali bërthamor dhe fluturimet janë pezulluar mbi disa qytete, thonë mediat iraniane

Izraeli ka kryer një sulm brenda Iranit, një lëvizje kjo që kërcënon të përshkallëzojë më tej konfliktin në Lindjen e Mesme.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars thotë se shpërthime janë dëgjuar pranë aeroportit ndërkombëtar të Isfahanit, lokalitet ku gjendet arsenali bërthamor dhe një baze ushtarake në qytetin Isfahan, duke aktivizuar sistemet lokale të mbrojtjes ajrore.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit u aktivizuan në disa zona pasi u dëgjuan shpërthime pranë aeroportit dhe një baze ushtarake në provincën e Isfahanit.

Tre shpërthime u dëgjuan pranë një baze ushtarake ku ndodhen avionët luftarakë në veriperëndim të Isfahanit.

“Mbrojtja aktivizohet në përgjigje të një objekti që ka të ngjarë të jetë një dron”, njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve FARS e Iranit.

Pas sulmit, media iraniane raportoi se të gjitha objektet përreth Isfahanit janë të sigurta, duke përfshirë objektet e rëndësishme bërthamore në zonë.

Zyrtarët amerikanë konfirmuan operacionin ushtarak të Izraelit. Ata bënë me dije se administrate e presidentit Biden u njoftua të enjten (18 prill) se sulmi do të ndodhte brenda 24-48 orëve të ardhshme.

Izraelitët siguruan homologët e tyre amerikanë se objektet bërthamore të Iranit nuk do të shënjestroheshin.

Uashingtoni dhe fuqitë e tjera globale i kishin bërë presion Izraelit që të mos përgjigjej ose të bënte ndonjë hakmarrje të mëtejshme, për të parandaluar një luftë më të gjerë pas rritjes së fundit të dhunës që u shkaktua nga sulmi ajror në kompleksin e ambasadës iraniane në Damask më 1 prill, për të cilin fajësohej Izraeli.

Televizioni shtetëror i Iranit tha se objektet bërthamore janë të padëmtuara.

Zona bërthamore e Natanzit, pjesa qendrore e programit të pasurimit të uraniumit të Iranit, është në provincën Isfahan.

Irani mbylli aeroportet e tij në Teheran, Shiraz dhe Isfahan pas sulmit dhe gjithashtu shmangu fluturimet nga pjesa perëndimore e hapësirës së tij ajrore për disa orë pas sulmit, sipas FlightRadar24. Deri në orën 04:45 GMT, aeroportet dhe hapësira ajrore ishin rihapur.

Si nisi lufta në Lindjen e Mesme

Sulmi i Izraelit në Gaza filloi pasi grupi islamik palestinez Hamas sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz, sipas të dhënave izraelite.

Ofensiva ushtarake e Izraelit ka vrarë mbi 33,000 palestinezë në Gaza, sipas ministrisë lokale të Shëndetësisë.

Grupet e mbështetura nga Irani kanë deklaruar mbështetje për palestinezët, duke nisur sulme nga Libani, Jemeni dhe Iraku.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd