Transmetuar më 19-04-2024, 10:03

Pas fitores me Milanin dhe kalimit në gjysmëfinale të “Europa League”, Daniele De Rossi po shijon rezultatin dhe momentin: "Për të mposhtur një ekip si Milani, të nevojitet pothuajse përsosmëri. Romës iu desh një zemër e madhe, pasi kishte mbetur me 10 lojtarë.

Duhej të luanim një ndeshje intensive dhe inteligjente. Është krenari të jem trajner i këtij ekipi. Nuk ishte e lehtë, Milani është i fortë dhe luajti mirë. Edhe ne bëmë mjaft mirë".

Italia feston ekipin e pestë në Champions League falë rezultateve evropiane të këtij viti. Daniele De Rossi e komentoi momentin e futbollit italian si vijon: "Niveli i futbollit tonë është i lartë. Kemi kujtime të një futbolli që ishte më i miri nga të gjithë, por nuk është më.

Megjithatë, kemi ecur përpara për 5 ose 6 vite, shumë lojtarë duan të vijnë dhe të luajnë në Itali. Ne do të vazhdojmë të bëjmë mirë edhe në nivel evropian.

Atmosfera në “Olimpico”? Ishte madhështore, por ka qenë kështu për shumë vite. Në ndeshje si këto ne kemi nevojë për tifozët. U kualifikuam bashkë me to”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd