Transmetuar më 19-04-2024, 11:45

Humbje pa dhimbje për Atalantën në “Europa League”. Në ndeshjen e kthimit çerekfinale, zikaltrit e Gasperinit humbën 1-0 ndaj Liverpool-it, por falë tre golave të shënuar në “Anfield” kaluan në gjysmëfinale.

Në stadiumin “Gewiss”, në pjesën e parë, të kuqtë e thyen menjëherë ngërçin me një penallti të Salah (7′), ndërsa në pjesën e dytë skuadra e Gasperinit e kontrolloi lojën, duke kaluar në turin tjetër.

Këto ishin fjalët e Berat Gjimshitit, mbrojtësit shqiptar të Atalantës, për mikrofonat e “Sky Sport”: “Ka krenari dhe lumturi, publiku na shtyu gjatë gjithë javës në stërvitje. Mbështetja e tifozëve u shfaq sërish sonte.

Goli i Salah pas 7 minutash lojë ishte një episod fatkeq. Në 20 minutat e para vuajtëm nga shpejtësia e lojtarëve të Liverpool-it, më pas e morëm nën kontroll situatën. Ky rezultat duhet të na japë shtysë për ndeshjet e ardhshme, në të gjitha kompeticionet.

Është një moment krenarie e madhe për ne, ishte e mrekullueshme ta shihja Bergamon kaq të emocionuar dhe të bashkuar me ekipin”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd