Transmetuar më 22-04-2024, 10:55

Legjionarët kuqezinj vijojnë të paraqiten mirë me klubet e tyre, teksa edhe kjo fundjavë ishte pozitive, ku disa prej tyre ishin vendimtarë. Në kampionatin turk, Ernest Muçi u rikthye te goli. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, i cili tashmë është një titullar i padiskutueshëm me Besiktas, shënoi golin e parë të ndeshjes në fitoren 2-0 ndaj Ankaragucu.

Një realizim mjaft i bukur, por jo vetëm kaq, pasi Muçi bëri paraqitje shumë të mirë dhe në fund u shpall lojtari i ndeshjes, me notën 8.4 nga sajti i specializuar për statistika "sofascore".

Këtë fundjavë, çmimin si lojtari i ndeshjes e fitoi edhe Mirlind Daku. Sulmuesi kuqezi shkëlqeu në takimin e Rubin Kazan ndaj Lokomotiv Moscow, që përfundoi në barazimin 1-1. Daku, në minutën e 21-të, në një aksion personal bëri gjithçka mirë, teksa e dërgoi topin në rrjetë shoku i tij i skuadrës.

Vendimtar me një asist ishte edhe një tjetër futbollist i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu. Mbrojtësi kuqezi dha kontributin e tij në triumfin me përmbysje 2-1 të Rayo Vallecano ndaj Osasuna. Goli i fitores u realizua në minutën e 84-t dhe Ivan Balliu shërbeu saktë për shokun e skuadrës, Isi Palazon.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Jon Mersinaj, Naser Aliji, Keidi Bare, Nedim Bajrami, Klaus Gjasula, Taulant Seferi, Arbnor Muçolli dhe Arbnor Muja, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues edhe Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Qazim Laçi, Myrto Uzuni, Sokol Cikalleshi dhe Arbër Hoxha.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd