Transmetuar më 22-04-2024, 14:32

Kylian Mbappé i kishte premtuar PSG-së se do të rinovonte. "Footmercato" zbulon më shumë nga sfondi i negociatave mes lojtarit dhe presidentit të klubit. Sipas raportimeve, sulmuesi francez i kishte dhënë fjalën Nasser al-Khelaifi dy herë, duke konfirmuar dëshirën për ta zgjatur aventurën e tij në Paris.

Një qëndrim i cili, pas dakordësisë me Real Madridin, tërboi numrin një të PSG-së. Në detaje, gjithçka do të kishte ndodhur në dy data të sakta. Premtimi i parë i Kylian për Nasser al-Khelaifi do të kishte ardhur një ditë para ndeshjes kundër FC Lorient, më 12 gusht 2023.

Me atë rast sulmuesi do ta kishte siguruar presidentin për qëllimet e tij për të qëndruar te PSG. Më pas do të bënte të njëjtën gjë pas fitores së Superkupës ndaj Toulouse më 3 janar 2024, duke konfirmuar publikisht ekzistencën e një marrëveshjeje me pronarin.

Një marrëveshje që me sa duket nuk ishte e mjaftueshme për ta mbajtur kampionin. Me kalimin e muajve, në fakt, Mbappé ndryshoi mendje, duke zhvilluar bindjen se donte të transferohej te Real Madridi.

Pasi e ndau mendjen takoi sërish Nasser al-Khelaifi për t’i komunikuar zyrtarisht qëllimet e tij për të mos rinovuar. Një përballje shumë e tensionuar, sipas "Footmercato", gjatë së cilës sulmuesi gjithashtu i kërkoi presidentit të mos e pengonte të largohej.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd