Transmetuar më 23-04-2024, 07:34

Pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës votuan ndalimin me ligj të TikTok për shkak se siç thanë ka pronësi kineze, orët e fundit një nismë e ngjashme vjen nga Brukseli.

Bashkimi Evropian njoftoi se do të ndalojë shërbimin e ri të lançuar nga TikTok në Evropë, TikTok Lite. BE thotë se ky shërbim  mund të jetë "po aq i varur sa cigaret" nëse kompania nuk ofron prova të reja "bindëse" se fëmijët janë të mbrojtur.

Nëse shërbimi ndalohet përfundimisht, kjo do të shënonte herën e parë që BE-ja përdor fuqi të reja gjithëpërfshirëse për të vendosur sanksione ndaj kompanive të mediave sociale.

Kjo lëvizje vjen pas hyrjes në fuqi në gusht 2023 të Aktit të Shërbimit Dixhital (DSA) të BE.

Komisioni Evropian tha se do të dalë me vendim të radhës për hapat e zbatimit të ndalimit të TikTok Lite.

Komisioneri Dixhital, Thierry Breton, tha se platforma e ndarjes së videove TikTok Lite shpërblen përdoruesit për shikimin e videove. Ai e ka përshkruar shërbimin si “toksik”.

Breton u tha gazetarëve se TikTok Lite "mund të jetë po aq toksik dhe i varur sa cigaret". Ai tha se ndërsa aplikacioni kryesor i TikTok u ofron përdoruesve "argëtim dhe një ndjenjë lidhjeje", ai gjithashtu "vjen me rrezik të konsiderueshëm për fëmijët tanë: varësi, ankth, depresion, çrregullime të të ngrënit, vëmendje të ulët".

Aplikacioni i ri “shiko-dhe-merr-shpërblehu”, u ofron përdoruesve çmime të tilla si kupona Amazon, karta dhuratash nëpërmjet PayPal ose pikëve monetizuese të TikTok. Kushtet përfshijnë shikimin e videove, pëlqimin e përmbajtjeve, ndjekjen e publikuesit dhe ftesa ndaj miqve për shpërndarje.

Aplikacioni u lançua në Francë dhe Spanjë pak ditë më parë.

Më herët në shkurt, DSA kishte nisur një hetim për kompaninë, për shqetësime të tjera në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve.

TikTok përdorej nga miliona të mitur në Evropë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd