Transmetuar më 23-04-2024, 09:07

Pas fitores së titullit në derbi, Simone Inzaghi është çmendur nga gëzimi. Ai po shijon triumfin, duke ndarë lavde për lojtarët e tij: “Është një ndjenjë e mrekullueshme, kemi bërë diçka të pabesueshme, ndaj me të drejtë duhet ta ndajmë me shumë njerëz.

Ka shumë protagonistë të këtij triumfi të madh: lojtarët e mi në radhë të parë, pastaj tifozët, klubi dhe presidenti, që ishin gjithmonë të rëndësishëm dhe të pranishëm. Një mendim shkon edhe tek familja ime. Ndonjëherë nuk mund ta lë punën jashtë shtëpisë dhe ato ishin thelbësor për mua.

Tani kemi një sezon për ta përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme. E dominuam kampionatin, jemi kampionë të Italisë me meritë, ndaj tani është e drejtë ta shijojmë, sepse kemi punuar shumë për këtë arritje.

Derbi ndaj Milanit ishte një ndeshje e luftuar dhe e ndershme. Më vjen keq për pesë minutat e fundit, në të cilat loja u nervozua. Ne luajtëm mirë dhe deri në atë pikë gjithçka në fushë dhe tribuna kishte shkuar si duhet.

Ndryshova diçka në fund, por në pjesën e parë mund të kishim shënuar më shumë. Do të jetë e paharrueshme kjo mbrëmje, tani do të ketë ditë feste me njerëzit tanë. Më thonë se ka shumë tifozë në ‘Piazza Duomo’, e meritojnë, sepse kanë qenë gjithmonë të jashtëzakonshëm.

Duke u rikthyer pas, shoh 6 trofe, një finale të Ligës së Kampionëve. Ishte e vështirë ta imagjinoja kështu karrierën time si trajner i Interit. Këtu gjeta lojtarë që më dhanë gjithçka. Milani? Nuk ishte një ndeshje e lehtë për kuqezinjtë në planin psikologjik, shpresojmë të jetë kështu edhe në të ardhmen.

Djemtë e mi ishin të jashtëzakonshëm. Në mëngjes u stërvitën në rrebesh shiu, i provuan të gjitha pozicionet e tyre. Në fakt, e shënuam golin e parë duke përfituar nga një situatë që e kishim provuar. Kam insistuar që të kemi Acerbin përpara, sepse e dija se do të na ndihmonte.

Ishte një udhëtim i mrekullueshëm. Më duhet të falënderoj Lazion, sepse më dhanë mundësinë të filloj punën si trajner. Më pas më lejoi që të vija tek Interi. Zgjedhja ime ishte e duhura. Unë kisha punuar te Sampdoria me Ausilio dhe Baccin, njihja gjithashtu Zanettin. E dija që mund të fillonim një cikël, pavarësisht vështirësive.

Në momente të vështira vazhduam të punonim. Tani nuk kam guralec për të hequr nga këpucët, por vetëm fitore dhe trofe për të treguar. Përforcime? E di që drejtuesit po punojnë për ta përmirësuar ekipin, duke e ditur se kemi disa limite dhe se ndonjëherë mund t’i kapërcejmë këto parametra dhe kufij".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd