Transmetuar më 23-04-2024, 11:05

Një “nokaut” që djeg shumë. Milani bie në derbi dhe ia dorëzon në duar titullin Interit, duke mos harruar se javën e kaluar, skuadra kuqezi u eliminua edhe nga “Europa League”.

Stefano Pioli është i hidhëruar për epilogun e sezonit të të tijve, por përpiqet të karikojë bateritë në funksion të një finishi në të cilën imperativi është sigurimi i vendit të dytë të Serie A.

Ja si u shpreh për ‘DAZN’ pas ndeshjes derbi trajneri i “Djallit”, i cili nuk foli në konferencë për shtyp: "Shkova në dhomat e zhveshjes për t’i ngushëlluar disi lojtarët e mi. Humbja është e rëndë për gjithçka përmban, por ne duhet ta përfundojmë mirë kampionatin, kemi një tjetër ndeshje të rëndësishme të shtunën.

Ndryshimet në formacion? Ne donim të zbutnim kundërsulmet e Interit duke u mbrojtur më poshtë, pastaj është e qartë se duke dalë përpara duhet të shënonim. Na mungonte fati në mundësitë që krijuam. Nuk mund t’i fajësoj lojtarët e mi për asgjë. Ishte një nga derbet më të ekuilibruar, por nuk mjaftoi.

Interi pati një kampionat të jashtëzakonshëm, humbi vetëm një ndeshje. Prej 3-4 vitesh ka skuadrën më të fortë në kampionatin tonë. Nëse diferenca mes tyre dhe të tjerëve është kaq e madhe, kjo do të thotë që të gjithë, duke përfshirë edhe ne, duhet të bëjmë më shumë.

Ne patëm një fillim shumë të mirë të sezonit, pastaj ishte ai muaj mjaft i vështirë. Dy ndeshjet e Ligës së Europës kundër Romës nuk ishin ato që donim. Nuk e arritëm objektivin që besuam.

A ka përfunduar cikli im te Milani? Nuk e di. 12 muaj më parë, Inzaghi dukej se nuk bënte më, duhej larguar, por më pas bëri atë që bëri. Jam mirë, po punoj mirë, skuadra ka vend për përmirësime. Le ta përfundojmë mirë kampionatin, pastaj do të bëhen vlerësimet e duhura.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd