Transmetuar më 23-04-2024, 13:21

Sonte do të luhet gjysmëfinalja e kthimit të Kupës së Italisë. Në "Olimpico" do të përballen Lazio dhe Juventusi. Të dyja skuadrat do ta rinisin nga epërsia 2-0 e Juventusit në ndeshjen e parë, me bardhekaltrit e Tudor që nuk pranojnë dorëzimin. Përkundrazi, ata do të përpiqen të përmbysin disavantazhin dhe të shkojnë në finalen e 15 majit kundër njërës prej Fiorentinës dhe Atalantës. Në konferencë, për media Allegri bëri këtë prognozë:

"Ne do të gjejmë një ekip si Lazio që do ta luajë ndeshjen me agresivitet të madh, sepse duhet të rikuperojë dy gola. Skuadra bardhekaltër po ndryshon në krahasim me kohën kur drejtohej nga Sarri. Ata janë shumë më agresivë.

Do të duhet të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer, pres një sfidë krejtësisht të ndryshme nga ajo kundër Cagliarit. Nevojitet të luajmë me personalitet, sidomos kur të kemi topin. A do të startojë Chiesa? Federico ka qenë gjithmonë i rëndësishëm në ndeshje. Të martën do të kemi nevojë për ndryshime, sepse do të jetë një ndeshje shumë e gjatë dhe e luftuar.

Kupa e Italisë? Ne e filluam këtë sezon me dy objektiva: të hyjmë në ‘top 4’. Aktualisht jemi të tretët, por ka ende kampionat. Patjetër, do të përpiqemi ta fitojmë Kupën e Italisë. Kthimi me Lazion do të na bëjë të kuptojmë, nëse arrijmë në finale, sa shanse për triumfin përfundimtar kemi.

Kemi punuar shumë prej 8 muajsh, ndërsa tani vendoset fati i një sezoni të rëndësishëm dhe mjaft të vështirë. Nuk e kemi siguruar ende një vend në Ligën e Kampionëve, as finalen e Kupës së Italisë. Skuadra do të jetë e motivuar, do të duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për të arritur objektivin. Kthimi ndaj Lazios do të jetë një ndeshje shumë e gjatë nga të gjitha pikëpamjet, do të duhet të luajmë si ekip.

Futbolli të jep gjithmonë mundësi, duhet ta jetosh me vendosmëri të madhe dhe dëshirë për të luajtur në finale. Duhet të bësh më të mirën. Kur je te Juventusi, gjithmonë duhet të përpiqesh të fitosh, me një ambicie kaq të lartë sa ju çon përtej vlerave që keni.

Sonte kemi mundësinë të arrijmë në finale, përmes një rruge rritjeje për ekipin. Mbi të gjitha kemi mundësinë që Juventusi të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm, gjithashtu në Botërorin e Klubeve.

E ardhmja ime? Nuk mendoj asgjë në këtë drejtim. Unë bëj punën që më pëlqen, pastaj klubi ka të drejtë të vlerësojë në një kontekst apo një tjetër. Për momentin duhet të arrijmë objektivat, prandaj jemi këtu".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd