Transmetuar më 23-04-2024, 14:06

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas transmetimit të dokumentarit investigues të RAI 3 që sipas tij ka ‘shpifur dhe baltosur’ Shqipërinë. Kryeministri nënvizoi se për këtë arsye do të ketë edhe një padi ndaj gazetarit.

Reagim i Ramës:

Nuk ka pasur asnjë telefonatë me drejtorin e RAI3, po vetëm një kërkesë për telefonatë lidhur me shpifjen më skandaloze të emisionit Report, një episod për Shqipërinë e parë me sytë e shpifësve të mirënjohur të Tiranës dhe ku gazetari italian, me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij po me shkrim, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, po edhe u shfaq në një kanal ujrash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje!

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm, i cili do të ngrejë padi penale për shpifësin, i është përgjigjur një për një me shkrim pyetjeve të tij, në afatin e kërkuar prej tij, në adresën e tij.

Kërkesa për telefonatën, lidhej vetëm me këtë fakt të dokumentuar dhe të tmerrshëm për një ekran që paguhet nga taksat e italianëve dhe që u angazhua në një episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë, siç ndodhte në vitet kur në median italiane shqiptarët shfaqeshin vetëm si vrasës, trafikantë, prostituta dhe hajdutë, ndërsa Shqipëria si foleja e krimit në Europë!

Kisha vite pa u skandalizuar me këtë qasje kriminale në emër të lirisë së medias, por e përsëris, nuk pata asnjë telefonatë të tërbuar me drejtorin e RAI3, me të cilin munda të flas krejt qetësisht vetëm pas gënjeshtrës së radhës, që kishte dalë edhe në La Repubblica (e cila e fshiu gënjeshtrën) dhe në Syrin e ujrave të zeza të Tiranës, ku natyrisht për vetë natyrën e misionin e kanalit, gënjeshtra mbeti me shoqet e saj të panumërta në tubacionin e jashtënxjerrjeve të armiqve të betuar të çdo suksesi të Shqipërisë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd