Transmetuar më 23-04-2024, 14:29

Ylber Ramadani, mesfushori i kombëtares sonë kuqezi, ka diçka më pak se një javë që nuk është stërvitur me skuadrën e tij Lecce. Pas dyshimeve për faringit, ditën e sotme klubi salentin ka komunikuar një përditësim mbi gjendjen e lojtarit shqiptar, e cila për fat është më e mirë.

Gjendja shëndetësore e shqiptarit fillimisht kishte shkaktuar shqetësim në klub, gjë që e dëshmoi edhe fakti se në fund të ndeshjes së të dielës, bluza e tij u valëvit në sektorin e mysafirëve. Më poshtë është shënimi i Lecce, klubit të Serie A ku luan mesfushori i kombëtares shqiptare:

“SH.B.A. Lecce bën të ditur se futbollisti Ylber Ramadani pësoi një abscess (infeksion) në qafë javën e kaluar, i cili i shkaktoi vështirësi në frymëmarrje për disa ditë. Mesfushori iu nënshtrua menjëherë testeve dhe terapive të specializuara, që i mundësuan atij të shmangte operacionin. Deri më sot e ka kapërcyer fazën akute dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të trajnerit”.

Lojtarët dhe stafi ia dedikuan fitoren kundër Sassuolos ndërkombëtarit shqiptar, duke festuar nën seksionin e mbushur me tifozët verdhekuq.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd