Transmetuar më 24-04-2024, 11:13

José Mourinho rikthehet për të folur për Romën. Në një intervistë për “The Telegraph”, nga e cila tashmë ju kemi ofruar një fragment, gjithmonë me temën e verdhekuqve, trajneri portugez thotë se ka refuzuar oferta të rëndësishme për të vazhduar aventurën e tij nën hijen e Koloseut, pas sezonit të kaluar:

“Miqtë e mi, familja ime, edhe agjenti im më thanë të largohesha nga Roma pas finales së Ligës së Evropës së vitit të kaluar, por ndjeva mbështetjen e klubit nga pikëpamja emocionale. Kësisoji, refuzova një ofertë shumë të përshtatshme nga Arabia Saudite, por edhe kombëtaren portugeze vetëm për të qëndruar te Roma”.

“Special One” u ndal edhe te përvoja e tij te Manchester United, e cila gjithashtu përfundoi me shkarkim: "Kam pasur një marrëdhënie të mirë me klubin nga pikëpamja personale, por nga pikëpamja profesionale nuk ishte më e mira.

Unë jam një njeri i futbollit, kur isha te Manchester United nuk kisha të gjithë materialin që ka në dispozicion Ten Hag. Unë nuk e kisha këtë lloj mbështetjeje nga klubi, kështu që u largova shumë i trishtuar, sepse ndjeva se ishim vetëm në fillim të një procesi rritjeje.

Jam i sigurt që nëse ata do të më kishin besuar, vazhdimësia e Manchester United do të kishin qenë ndryshe. Edhe sot ky ekip ka disa lojtarë, që nuk i kam dashur 5-6 vite më parë, sepse për mua ata nuk përfaqësonin profilin ideal për të luajtur në një klub të një madhësie të tillë”.

Më pas disa fjalë për të ardhmen: "Kam ende një karrierë të gjatë përpara, jam 61 vjeç, nuk është se do ta mbyll këtë rrugëtim 65 vjeç. Nuk është çështje e klubit. E vetmja gjë që dua është që objektivat të përcaktohen nga të gjithë në kohën e duhur, nuk mund të shkoj në një klub ku, vetëm për shkak të historisë sime, qëllimi është të fitoj titullin. E vetmja gjë që dua është që kjo të jetë e qartë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd