Transmetuar më 25-04-2024, 14:12

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka folur në një konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme në “San Sebastian” kundër Real Sociedad. Italiani u prononcua edhe mbi vendimin e Xavit për të qëndruar në pankinën e Barcelonës, duke ndryshuar mendje nga ajo që njoftoi në janar, se në fund të këtij sezoni do të largohej.

“Përpara Real Sociedad kemi të gjithë energjinë e mundshme, objektivi është shumë i qartë. Jemi 7 pikë larg fitores së titullit të La Liga-s, synimi është ta sigurojmë sa më shpejt”, – tha ai për ndeshjen e radhës.

Si janë të dëmtuarit?

Bellingham kishte një problem me stomakun, Rodrygo kishte grip, por do të udhëtojnë me ne. Mendy nuk do të jetë gati, preferoj ta lërë të punojë në funksion të Ligës së Kampionëve.

A është qëndrimi i Xavit i mirë edhe për Real Madridin?

Ai bëri një punë të shkëlqyer te Barcelona, e njeh mirë klubin. Mua më duket vendimi i duhur.

Xavi ndryshoi mendje, edhe pse përbetohej se do të largohej nga Barcelona… A është fjala më e rëndësishme se një kontratë?

Ne duhet t’i respektojmë ndryshimet në opinione. Sa herë kam ndryshuar unë mendje? Shumë herë gjatë karrierës sime. Ta bësh një gjë të tillë është e ligjshme dhe e lejuar.

Laporta ka kërkuar përsëritje të “El Clasico”…

Ky është një opinion i tij. Unë nuk i komentoj opinionet.

A ju shqetëson fakti se u fol më shumë për polemikat sesa fitoren tuaj në “El Clasico” e fundit?

Kjo gjë nuk më shqetëson. Kemi ndjenja aq të mira tani, saqë gjithçka që ndodh rreth nesh nuk na ndikon aspak. Kemi shpresën që ta përfundojmë sezonin në një mënyrë fantastike. Gjithçka thuhet rreth nesh nuk na shqetëson për asgjë.

Diçka mbi ankesat e Barcelonës…

Nuk kam çfarë të shtoj, janë mendime. Fjalët shkojnë me erën…

Vinicius, a duhet të përmirësohet sa iu përket golave?

Një nga karakteristikat më të mira që ka është vazhdimësia e tij. Ai ka ende hapësirë ​​për përmirësim pranë zonës kundërshtare, në lëvizjet pa top. Vinicius do të përmirësohet, ka përulësinë e nevojshme për këtë.

Kujt do t’ia jepje “Topin e Artë”, Bellingham apo Vinicius?

Te dyve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd