Transmetuar më 14-05-2024, 11:11

Nga ARDIAN VEHBIU

Një debat është kthyer, lidhur me atë nëse Bubulina – heroina e revolucionit grek – ka qenë apo jo “shqiptare”. Debati vjen jo vetëm i politizuar, por edhe i barsur me keqkuptime historike e gjuhësore. Duke filluar që nga kuptimi i fjalës “shqiptar”, referuar një identiteti etnik/kombëtar.

Bubulina ishte arvanite – i përkiste komunitetit të arbërorëve, që ishin zhvendosur në trojet “greke” që herët në Mesjetë. Për grekët e sotëm, arvanitët dhe shqiptarët janë identitete të ndryshme. Asnjë grek nuk do të përdorte fjalën ‘Αλβανός’ për arvanitët; as do ta quante gjuhën e tyre ‘αλβανικά’.

Këto dy fjalë i referohen – në greqishte – shqipes që flitet sot në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetiu në Ballkan; dhe komuniteteve që e flasin. Arvanitët e djeshëm dhe shqiptarët e sotëm i ndan jo vetëm koha, por edhe tipare të tjera të identitetit kolektiv, si feja.

Tek e fundit, revolucioni grek vërtet nisi si përpjekje e armatosur kundër sundimit osman, por në realitet u shpreh edhe si revoltë anti-myslimane. Shumë shqiptarë myslimanë (por edhe katolikë) u dërguan nga Perandoria Osmane të luftojnë – edhe si mercenarë – kundër kryengritësve grekë (dhe arvanitë).

Edhe pse gjen tek-tuk prova të një dhemshurie etnike ekstra-fetare mes arvanitëve që luftonin kundër shqiptarëve myslimanë (p.sh. në kujtimet e Kollokotronit), sërish te shqiptari mysliman arvanitët kryengritës shihnin përgjithësisht armikun mysliman, jo vëllain e gjuhës dhe të gjakut.

Përkundrazi, zgjimi kombëtar i shqiptarëve, gjatë shekullit XIX, ishte haptazi anti-osman, por nuk ishte – dhe nuk mund të ishte – antimysliman, sa kohë që shumica e shqiptarëve ishin të besimit islam.

Si luftëtare dhe heroinë e revolucionit grek, Bubulina do të identifikohet më shumë me idealet e revolucionit grek se me trashëgiminë e saj arbërore-arvanitase. Ata nga ne, që i quajnë “shqiptarë” heronjtë arvanitë të revolucionit grek dhe iu thonë grekëve se “ua dhamë ne”, bëjnë një gabim historik elementar; madje më shumë se një.

Eliminojnë nga ekuacioni faktorin fetar në identitetin etnik të fillimshekullit XIX, kryesisht ngaqë për ne shqiptarët e sotëm – që u përkasim tri feve të ndryshme, plus masa jo e vogël e atyre që nuk besojnë – faktori fetar nuk ngre peshë në identitetin kombëtar.

Përkundrazi, grekët e sotëm e kanë trashëguar mirë mendësinë identitare të kohës së revolucionit të tyre; kur nuk u shkonte mendja t’i quanin “grekë” myslimanët në trojet e tyre – të cilët shpesh i masakruan, i dëbuan ose i keqtrajtuan.

Ne nuk mund t’u mësojmë grekëve si t’i shohin heronjtë arvanitë të revolucionit të tyre këtu e dyqind vjet më parë – për ta, këta heronj janë njëherazi grekë, arvanitë dhe, sidomos, të krishterë ortodoksë.

Përkundrazi, bëjmë mirë ta mbajmë këtë parasysh, kur flasim për memorien e revolucionit grek, mes grekëve të sotëm, përfshi edhe kulturën zyrtare. Dallimi identitar mes arvanitëve dhe shqiptarëve nuk është dallim që u vlen vetëm grekëve nacionalistë; është dallim historik, që bëhet gjithnjë e më real, me kalimin e kohës.

Përpjekjet për t’i bërë arvanitët “shqiptarë” janë esencialiste, instrumentale dhe pa baza historike. Shërbejnë për të krijuar një iluzion historik, duke e trajtuar imagjinaren si reale. Duke i parë si aspekte të ndryshme të identitetit historik të arbërve në Ballkan, në rrjedhë të shekujve, do t’i kuptojmë më mirë edhe të parët, edhe të dytët, sa kohë që do ta pranojmë se bëhet fjalë për produkte procesesh historike, jo mishërime esencash metafizike.

Përndryshe, fare mirë mund t’i admirojmë heronjtë e revolucionit grek, përfshi edhe arvanitët, pa këmbëngulur në “shqiptarinë” e tyre.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd