Transmetuar më 26-02-2021, 14:51

Katër ditë pas sulmit në Kongo, në të cilin u vra burri i saj, ambasadori italian, Luca Attanasio, bashkëshortja e këtij të fundit ka dyshimet e saj.

Zakia Seddiki nuk është shpirtërisht e qetë, jo vetëm për atë që i ka ndodhur bashkëshortit.

"Dikush pranë nesh, i familjes sonë, e ka tradhtuar atë. Atë mëngjes, ai nuk ishte një operacion humanitar që përfshinte drejtpërdrejt punën e tij si ambasador, – shpjegon gruaja. – Përgjigja e vetme që i dhashë vetes dhe që mund të jap, është se dikush që e dinte vendndodhjen e tij foli, e shiti atë".

Në mëngjesin e sulmit, "ne i kemi shkruar njëri-tjetrit përmes WhatsApp-it", thotë gruaja në një intervistë për gazetën "Il Messaggero" pas funeralit shtetëror të organizuar për diplomatin italian.

"Ai më dërgoi dy foto. Njëzet minuta më vonë ai përsëriti të njëjtën frazë që më tha kur nuk ishim bashkë: ‘Të dua dashuria ime dhe më mungoni’. Ai ishte i qetë, i qeshur".

Duke rimenduar atë mëngjes, Zakia konfirmon se, as ajo dhe as ambasadori nuk kishin ndonjë perceptim të rrezikut.

Edhe kërkesa për një makinë të re të blinduar, e paraqitur nga Attanasio disa ditë para sulmit, nuk do të lidhej me një çështje sigurie.

Ai e bëri këtë, "sepse ajo që ishte në dispozicion në ambasadë, kishte disa probleme mekanike. Kështu që nuk ka asnjë lidhje me atë që ndodhi të hënën në mëngjes".

Gruaja nuk ka dyshime. "Hetimet do të përcaktojnë se çfarë ka ndodhur në pyll. Në këto orët e fundit, unë jam mbingarkuar nga ngjarjet, nga dhimbja për veten dhe për familjen time. E vetmja përgjigje që i kam dhënë vetes, dhe që mund të jap, është se dikush që e dinte vendndodhjen e tij foli, e shiti atë". /e.a/noa.al/

Lexo edhe:

Vritet në një sulm në Kongo ambasadori italian dhe një karabinier