Transmetuar më 06-03-2024, 21:50

Kryetari socialist prej 19 vjetësh dhe kryeministër në mandatin e tretë, Edi Rama, deklaroi sot nga Lushnja se sipas tij nuk ka dhe nuk ekziston asnjë qendër votimi që partia e tij nuk fiton zgjedhje.

Kjo ishte një deklaratë e papritur që nuk ishte bërë kurrë kaq prerë dhe kaq troç nga Rama.

Ai herë pas here kishte pohuar se partia e tij do të merrte shumicë fituese, por kurrë nuk kishte arritur deri aty sa të bënte publike bindjen e tij se partia që ai drejton prej afro dy dekadash, fiton 100 për qind të të gjitha qendrave të votimit në vend.

E vërteta është se as Enver Hoxha nuk kishte guxuar të thoshte se për Partinë Komuniste, më tej Partia e Punës, votonin 100 për qind e zgjedhësve.

Ai në çdo proces zgjedhor shpallte fituese partinë e tij, por me diku te 99 për qind të votave.

Megjithatë, pyetja që shtrohet tani dhe merr rëndësi për të tashmen, është: A ka të drejtë Edi Rama kur thotë se PS nuk humbet në asnjë qendër votimi?

Ithtarët e opozitës, pa një lexim të kthjellët, mund ta shohin si pasardhës të Enverit, ose edhe më të guximshëm se ai. Por pa lexuar nën rreshta, atë që Rama pohoi sot me zë të lartë, pikërisht të mbështetur mbi të gjitha nga katandisja e opozitës shqiptare.

Në 34 vjet sistem pluralist, në të paktën 20 vitet e para nuk kishte ndodhur kurrë që pushteti të mbahej kaq gjatë nga një kryeministër. Por njëkohësisht, nuk kishte ndodhur kurrë që opozita të ishte kaq e përçarë, kaq larg përkrahësve të saj, kaq larg të qenit opozitë ndikuese, por edhe kaq afër frikës për të testuar elektoratin përmes zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo panoramë politike, nxit zotin Rama që të deklarojë, siç bëri dje në Lezhë, se socialistët duhet të bëjnë vetëkritikë dhe vetëpërmirësim, "në kushtet kur ne nuk jemi të sfiduar nga një kundërshtar përballë".

Në të tilla kushte, shtoji këtu shkëlqimin e dukshëm në arenën ndërkombëtare ku korr mbështetje të vazhdueshme, e pa harruar mbështetësit tradicionalë të PS, si dhe ata që janë të zhgënjyer nga opozita, Rama ndjehet i shumëpushtetshëm dhe për rrjedhojë, i sigurt se në asnjë qendër votimi nuk mund të ketë fitues tjetër veç PS.

E nëse Rama shpreh këtë bindje që shumë njerëz e morën për arrogancë enveriste, përse fajtori duhet të quhet ai? Parë gjithë atë që po ndodh prej kaq shumë kohësh në politikën shqiptare, pakkush mund të besojë se fajin e ka Rama! /noa.al

Foto: Edi Rama. Foto e marrë nga profili i tij në Facebook 

Lexoni edhe:

NOA ANALIZË | Herë andej dhe herë këndej, çfarë po ndodh me opozitarët që ikin e vijnë në krye të PD

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd