Transmetuar më 11-11-2016, 09:22

Milano, ITALI 11 nëntor 2016, NOA.al – Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur në Itali, ku kanë mbetur të vdekur dy shqiptarë. Viktimat janë Agron Lleshaj 27 vjeç dhe Alban Lleshaj 24 vjeç, kushërinj, rezidentë në Parabiago (Milano).

Pak para mesnatës mes të enjtes dhe të premtes në zonën e Canegrate në Milano të Italisë, dy shqiptarët janë vrarë në rrugën "Ancona" në lagjen "Valverde", konfirmoi sot shefi lokal i policisë, Francesco Cantarella.

Fillimisht ngjarja u raportua si aksident rrugor, por me mbërritjen në vendin e ngjarjes policia zbuloi dy kufomat pasi u raportuan edhe të shtëna pistolete.

Dyshohet se makina është përplasur në tentativë për t’u larguar me shpejtësi pas të shtënave që shënjestruan viktimat. Siç raporton noa.al, hipoteza kryesore ku po hetohet nga policia dhe prokuroria, është ajo për larje hesapesh për trafik droge.

Sipas dëshmive të banorëve të zonës, një makinë ngjyrë gri, u përplas me disa automjete të tjera, përpara se të kthehej mënjanë.

Dyshohet se mes viktimave dhe personave të tjerë ka pasur të shtëna të ndërsjella. /a.y/noa.al/