

Ta nisësh ditën e parë të javës me një drekë të shijshme është gjë e mirë që sjell harmoni të shtuar në familje.
Shefi i kuzhinës për këtë të hënë ju sugjeron fort, bërxolla tenxhereje, me limon, të shijshme dhe të thjeshta për t’u gatuar.
Për 2 deri katër persona të rritur, merrni katër copë bërxolla nga pjesa e qafës së viçit, dy thelpinj hudhër, rigon, borzilok, kripë, piper, vaj ulliri dhe lëngun e dy limonëve.
Lajmë bërxollat dhe i thajmë ujin.
Në një tenxhere i vendosim dhe i lëmë që të marrin ngjyrë në të dy anët.
Shtojmë vaj dhe hedhim edhe hudhrën e grirë.
Më pas shtojmë rigonin, kripë, piper dhe afro një gotë ujë.
I lëmë gjysmë ore të ziejnë në tenxhere.
Sapo ta kenë pirë ujin, janë gati dhe i shtojmë lëngun e limonit.
Edhe pak sekonda për dy valë të tjera dhe largojini nga zjarri.
Merrni patate dhe skuqini (ose furre) dhe shtojani bërxollës në çdo pjatë.
E gjithë koha që ju duhet është 30 minuta. /noa.al/