Transmetuar më 08-08-2019, 15:34

Gazeta italiane “La Verita”, e cila njihet për raportimet e detajuara për Maqedoninë e Veriut ka publikuar së fundmi një material filmik, ku sipas saj tregohet skema e zhvatjes së miliona eurove.

Kjo media, duke skanuar rrugën që po ndjek Maqedonia për t’u bërë pjesë e strukturave të BE-së, tregon  as më shumë dhe as më pak, por të vërtetën që sipas saj politikanët në vendin fqinj janë përdorur dhe përdoren si “marioneta” të mekanizmave ndërkombëtarë.

Në videon e publikuar dhe që është regjistruar në shkurt të këtij viti, siç bën të ditur gazeta, shihen euro të paketuara me specifikime të shënuara me dorë në fleta, ndërsa dëgjohet edhe një pjesë nga biseda mes Orce Kamçevit dhe Boki13, në të cilën Boki i tregon Kamçevit se nga orët e vona të së hënës deri të martën do të lirohet nga paraburgimi, ndërsa përmendet edhe prokurorja speciale publike, Katica Janeva.

Ndërkohë pas publikimit të materialit filmik përmes të cilit faktonte një skemë të madhe korrupsioni të kryer në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar gazetari Italian i gazetës “La Verita”, Laris Gajzer.

Me një shënim në “Facebook”, gazetari italian shkruan se materiali i sotëm është thjesht fillimi, ku shton se ditët e ardhshme do të publikohen materiale të tjera.

Ai hedh akuza të forta ndaj politikanëve maqedonas dhe për përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian, ndërsa thotë se këta të fundit janë përgjegjës për nënçmimin e qytetarëve të saj duke mbështetur hapur  ata që mbrojnë personat që janë kundër sistemit të drejtësisë dhe godasin të dobëtit.

“Sot La Verita publikoi vetëm pjesën e parë të rrëfimit tim, që dëshmon se sa Bashkimi Evropian, pas mbështetjes për ndërrimin e regjimit në Maqedoni, angazhohej për vendosjen e Prokurorisë Speciale (Katica Janeva), e cila jo vetëm përzihet ilegalisht në politikë, por edhe zhvat njerëzit.

Sistem mafioz, që punon drejtpërdrejt nën kontrollin e politikanëve të lartë! Ata politikanë të dëshiruar nga BE dhe nga SOROS. Maqedonia ka problem të madh në rrugën e saj drejt BE-së! Mogerini dhe Junker janë fajtorë për nënçmimin e tërë popullit dhe përkrahjen që dhanë për ata që janë kundër drejtësisë…”- shkruan ai.